OBSH paralajmëron për “shiun e zi” në Teheran, cilat janë rreziqet
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar një paralajmërim lidhur me fenomenin e quajtur “shi i zi” dhe praninë e përbërjeve toksike në atmosferën e Iranit, pas sulmeve ndaj objekteve të naftës. Këto kushte mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, veçanërisht në sistemin respirator.
Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara, e cila ka përfaqësi në Iran dhe bashkëpunon me autoritetet vendase për çështje shëndetësore emergjente, ka raportuar marrjen e informacioneve të shumta gjatë kësaj jave për reshje shiu të përziera me mbetje nafte. Të hënën, Teherani u përfshi nga re të dendura tymi të zi, pas sulmit ndaj një rafinerie nafte. Ky incident vjen si pasojë e përshkallëzimit të sulmeve ndaj rezervave energjetike të brendshme të Iranit, në kuadër të një fushate ushtarake.
Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, deklaroi gjatë një konference për shtyp në Gjenevë se fenomeni paraqet një rrezik real për shëndetin publik. Ai theksoi se “shiun e zi dhe shiu acid që e shoqëron përbëjnë vërtet një rrezik për popullsinë, sidomos për sistemin respirator”, duke shtuar se autoritetet iraniane i kanë këshilluar qytetarët të qëndrojnë brenda në shtëpi.
Rekomandime për mbrojtjen e qytetarëve
I pyetur nëse OBSH mbështet këto rekomandime, Lindmeier u përgjigj se, duke marrë parasysh situatën aktuale, ato janë të arsyeshme. “Duke parë rreziqet që ekzistojnë tani – objektet e naftës dhe rafineritë e goditura që kanë shkaktuar zjarre dhe shqetësime serioze për cilësinë e ajrit – është padyshim një ide e mirë që njerëzit të qëndrojnë në ambiente të mbyllura,” tha ai.
Sipas tij, sulmet kanë shkaktuar çlirimin masiv në atmosferë të hidrokarbureve toksike, oksideve të squfurit dhe përbërjeve azotike. Ekspertët paralajmërojnë se thithja e tymit ose kontakti me grimcat ndotëse mund të shkaktojë dhimbje koke, irritim të lëkurës dhe syve, si dhe vështirësi në frymëmarrje. Ndërkohë, ekspozimi afatgjatë ndaj disa prej këtyre substancave mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e disa llojeve të kancerit.
