OBSH: Rreziku i përhapjes së virusit Nipah përtej Indisë është i ulët
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar se “Rreziku i përhapjes së virusit vdekjeprurës Nipah përtej Indisë është i ulët”. Ky njoftim vjen pas konfirmimit të dy infeksioneve në Indi, duke shtuar nevojën për kontrolle më të rrepta në aeroportet e vendeve aziatike si Hong Kongu, Malajzia, Singapori, Tailanda dhe Vietnami.
OBSH thekson se “e konsideron të ulët rrezikun e përhapjes së mëtejshme të infeksioneve nga këto dy raste” dhe beson se India ka kapacitetin për të menaxhuar shpërthime të tilla. Aktualisht, “nuk ka ende prova për rritjen e transmetimit nga njeriu te njeriu”, sipas agjencisë, e cila po bashkëpunon ngushtë me autoritetet shëndetësore indiane.
Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia e ekspozimit të mëtejshëm ndaj virusit, i cili qarkullon mes popullatave të lakuriqëve të natës në disa rajone të Indisë dhe në Bangladeshin fqinj. Virusi Nipah, i cili kryesisht transmetohet nga lakuriqët e natës që ushqehen me fruta dhe nga kafshë si derrat, mund të shkaktojë ethe dhe inflamacion të trurit.
Ky virus ka një shkallë vdekshmërie të lartë, duke varjuar mes 40% dhe 75%, dhe aktualisht nuk ka kurë të disponueshme, megjithëse vaksina të reja janë në fazën e testimit.
Transmetimi te njerëzit ndodh nga lakuriqët e natës të infektuar ose nga frutat e kontaminuar. Megjithatë, transmetimi nga njeriu te njeriu nuk është i lehtë dhe zakonisht kërkon kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me personat e infektuar.
