ODIHR kërkon reformë zgjedhore: Partitë politike të bien dakord për ndryshimet
Misioni i OSBE/ODIHR-it në Shqipëri ka kërkuar sot përmirësimin e ligjit zgjedhor në vend.
Gjatë një takimi, përfaqësuesi Michel Tarran inkurajoi nisjen sa më të shpejtë të punës së komisionit për reformën zgjedhore, duke shtuar se legjislacioni aktual ka ende probleme.
Tarran theksoi gjithashtu nevojën që të gjitha partitë politike të bien dakord për domosdoshmërinë e ndryshimeve.
Në fund, Tarran shtoi se ODIHR nuk përfshihet në debatin politik në vend.
“Rekomandimet e ODIHR kanë për qëllim përmirësimin e ligjit zgjedhor. Ne inkurajojmë punën e komisionit për reformën zgjedhore dhe shpresojmë që ai të fillojë punën sa më shpejt. Puna e tij është shumë e rëndësishme, pasi ka disa probleme të lidhura me ligjin zgjedhor që, sipas nesh, nuk është ende në nivelin e duhur. Ky është një rekomandim i vazhdueshëm i misionit të ODIHR.
Më duket se kësaj radhe mesazhin e ODIHR e kanë dëgjuar dhe partitë politike. Përsa i përket debatit politik, ne nuk marrim pjesë. Megjithatë, të gjitha partitë politike janë dakord që ligji zgjedhor duhet të ndryshojë,” u shpreh Tarran.
