OKB akuzon Houthit e Jemenit për mbajtjen peng të 20 anëtarëve të organizatës
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi sot se 20 punonjës të saj janë arrestuar nga rebelët Huthi në Sana’a, kryeqytetin e Jemenit që kontrollohet nga rebelët shiitë. Ky incident vjen një ditë pas një tjetër sulmi që rebelët kryen ndaj stafit të OKB-së.
“Pesë punonjës vendas dhe 15 punonjës ndërkombëtarë janë ndaluar në kompleksin e OKB-së”, tha për agjencinë AFP zëdhënësi i koordinatorit të përhershëm të OKB-së në Jemen, Jean Alam.
Sipas tij, 11 punonjës të tjerë vendas janë liruar pasi janë marrë në pyetje. Ai shtoi se organizata është në kontakt me Huthit dhe palë të tjera për të zgjidhur sa më shpejt këtë situatë serioze, për të siguruar lirimin e plotë të stafit dhe rikthimin e kontrollit të plotë mbi ambientet e saj në Sana’a.
Jean Alam kishte deklaruar më herët se forcat e sigurisë së Huthive kishin hyrë në ambientet e OKB-së pa leje. Kjo nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë; më 31 gusht, rebelët kishin hyrë përsëri në zyrat e OKB-së në Sana’a dhe kishin arrestuar rreth dhjetë punonjës, sipas OKB-së.
Një zyrtar i lartë i Huthive pretendoi se të ndaluarit dyshohen për spiunazh në favor të SHBA-së dhe Izraelit. Kjo ngjarje e fundit ndodhi në një kohë kur dhjetëra punonjës të OKB-së janë arrestuar gjatë muajve të fundit në zonat e kontrolluara nga rebelët jemenas.
Në një fjalim televiziv ditën e enjte, lideri i rebelëve, Abdelmalek al-Huthi, deklaroi se kishin shkatërruar një nga celulat më të rrezikshme të spiunazhit, që sipas tij ishte e lidhur me organizata humanitare si Programi Botëror i Ushqimit dhe UNICEF.
Ndërkohë, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stéphane Dujarric, e quajti këtë akuzë të rrezikshme dhe të papranueshme, duke theksuar se vë në rrezik serioz sigurinë e stafit të OKB-së, punonjësve humanitarë dhe operacioneve shpëtuese jetike.
Në mes të shtatorit, koordinatori humanitar i OKB-së për Jemenin u zhvendos nga Sana’a në Aden, që është selia e përkohshme e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të vendit.
Dhjetë vjet luftë civile e kanë zhytur Jemenin, një nga vendet më të varfra të gadishullit Arabik, në një nga krizat më të rënda humanitare në botë, sipas OKB-së.