Këshilli i Sigurimit miraton planin e paqes për Gazën, 13 anëtarë votojnë pro Rezolutës së Trump
Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë në mbështetje të planit të paqes të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Gazën. Trembëdhjetë nga 15 anëtarët votuan në favor të rezolutës.
Rezoluta, ndër të tjera, bën thirrje për vendosjen e një force trupash ndërkombëtare për të stabilizuar armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit. Ajo përmend gjithashtu mundësinë e krijimit të një shteti palestinez në të ardhmen.
Hamasi e ka hedhur poshtë miratimin e rezolutës në Këshillin e Sigurimit. Projektrezoluta u paraqit nga Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete të tjera, përfshirë ndërmjetësuesit në Gaza, Katarin dhe Egjiptin. Rusia dhe Kina abstenuan nga votimi.
Para votimit, dukej se rezoluta mund të dështonte. Rusia kishte paraqitur edhe një projektrezolutë të saj, e cila nuk u vu në votim.
Miratimi i rezolutës konsiderohet një sukses për Këshillin e Sigurimit, i cili ka treguar vazhdimisht përçarje të thella mbi këtë çështje vitet e fundit.
Rezoluta “mbështet” planin e paqes të Trump, i cili çoi në një armëpushim ende të brishtë midis Izraelit dhe organizatës terroriste Hamas më 10 tetor. Ky plan përfshin, ndër të tjera:
- Çarmatimin e Hamasit.
- Një qeveri kalimtare të përbërë nga ekspertë palestinezë apolitikë.
- Formimin e një këshilli paqeje.
Megjithatë, mbeten shumë pika mosmarrëveshjeje, duke përfshirë çarmatimin e Hamasit (organizatë e kategorizuar si terroriste nga SHBA, Gjermania dhe vende të tjera), tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga territori dhe të ardhmen e Rripit të Gazës.
Përpara miratimit të rezolutës, kishte pasur kritika nga Izraeli sepse ajo i referohej “një rruge të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze”.
