Izraeli thirret nga OKB-ja për të shpjeguar akuzat për tortura ndaj të burgosurve palestinezë
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka thirrur Izraelin përpara Komitetit kundër Torturës për t’u dhënë shpjegime lidhur me një sërë akuzash për torturë, trajtim çnjerëzor dhe degradues ndaj të paraburgosurve palestinezë në territorin izraelit, sidomos pas datës 7 tetor 2023.
Peter Wendel Kessing, raportues special, u shpreh në fillim të shqyrtimit të çështjes nga Komiteti në Gjenevë të martën: “Komiteti është thellësisht i tronditur nga përshkrimet e asaj që duket të jetë torturë dhe keqtrajtim sistematik dhe i përhapur i palestinezëve”. Ai shtoi se raportet e shumta të marra nga burime të besueshme “theksojnë se tortura është bërë një mjet që përdoret qëllimisht dhe në përgjithësi, nga momenti i arrestimit e deri te marrja në pyetje dhe burgosja”.
Ndër metodat e torturës të përmendura në raportet e dorëzuara Komisionit përfshihen:
- Rrahje të rënda, përfshirë ato në organet gjenitale.
- Goditje elektrike.
- Detyrimi i të paraburgosurve të mbajnë pozicione të pakëndshme për periudha të gjata.
- Kushte qëllimisht çnjerëzore paraburgimi.
- Privimi nga ushqimi.
- Tortura me ujë për të krijuar ndjesinë e mbytjes.
- Sulme seksuale dhe kërcënime të përgjithësuara për përdhunim.
Raportet, kryesisht nga agjenci të OKB-së, OJQ-ra izraelite, palestineze dhe ndërkombëtare, theksojnë se tortura dhe keqtrajtimi i palestinezëve kanë përjetuar një “përshkallëzim të madh” pas shpërthimit të luftës në Rripin e Gazës, duke arritur “nivele të papara”, me “pandëshkueshmëri të plotë”.
Në korrik 2024, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut publikoi një raport ku thuhej se shumë palestinezë ishin ndaluar fshehurazi që nga 7 tetori 2023 dhe se kishte pasur raste trajtimi që mund të konsideroheshin torturë. Akuza të ngjashme, por për trajtimin e pengjeve në Rripin e Gazës, janë bërë kundër Hamasit.
“Dezinformim”
Në një takim në Gjenevë, Daniel Meron, bashkëkryetari i delegacionit izraelit dhe ambasadori i Izraielit pranë OKB-së në qytetin zviceran, hodhi poshtë akuzat kundër vendit të tij, duke i cilësuar si “dezinformim”. Ai iu referua në veçanti ankesave të bëra nga raportuesja speciale e OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në territoret e pushtuara palestineze, Francesca Albanese, dhe një komisioni ndërkombëtar hetimor i ekspertëve, i cili në shtator akuzoi Izraelin për kryerjen e “gjenocidit”.
Zoti Meron shtoi se komuniteti ndërkombëtar “duhet të njohë faktet dhe realitetet në terren” dhe siguroi se “Izraeli është i përkushtuar ndaj detyrimeve të tij sipas ligjit ndërkombëtar, pavarësisht se përballet me një organizatë terroriste që nuk ngurron të deklarojë hapur se donte që civilët në Gaza të vuanin vuajtjet më të mëdha”.
Në përgjigje, zoti Kessing kundërshtoi se “fakti që njëra nga palët në një konflikt të armatosur shkel dhe injoron detyrimet e saj sipas këtyre rregullave nuk mund të përdoret si justifikim nga pala tjetër në konfliktin e armatosur për të shkelur dhe injoruar detyrimet e veta”. Ai shtoi se Komiteti, “i vetëdijshëm” për akuzat në lidhje me “torturat e kryera nga Hamasi kundër ushtarëve dhe civilëve izraelitë”, do ta diskutojë këtë situatë kur të shqyrtojë shtetin e Palestinës, në një takim të ardhshëm.
