Këshilli i Sigurimit i OKB-së voton sot për dy projektrezoluta mbi konfliktin në Iran
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të votojë sot për dy projektrezoluta konkurruese lidhur me luftën në Iran dhe ndikimin e saj në rajonin e Lindjes së Mesme.
Projektrezoluta e parë, e propozuar nga vendet e Gjirit, dënon sulmet e kryera nga Irani kundër tyre dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj vendeve të rajonit, duke përfshirë edhe ato të realizuara përmes ndërmjetësve.
Nga ana tjetër, Rusia, aleate e Iranit në Këshill, ka paraqitur një projekt-rezolutë alternative. Ky draft nuk përmend drejtpërdrejt Iranin, Izraelin apo Shtetet e Bashkuara, por dënon të gjitha sulmet kundër civilëve dhe u bën thirrje palëve të ndalojnë luftimet dhe të kthehen në negociata.
Ky është veprimi i parë formal që shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit që nga mbajtja e një takimi urgjent pas shpërthimit të konfliktit. Gjatë atij takimi, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, deklaroi se sulmet ajrore izraelito-amerikane ndaj Iranit, si dhe sulmet hakmarrëse të Teheranit ndaj vendeve të rajonit, përbëjnë shkelje të Kartës së OKB-së.
Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, kritikoi vendet e Gjirit, duke i akuzuar se po përpiqen të përmbysin rolet e agresorit dhe viktimës përmes një teksti që ai e cilësoi të njëanshëm dhe të motivuar politikisht.
