Operacion “Neonët 5”: Zbulohet “shtëpi bari” në Vau të Dejës

Zbulohet “shtëpi bari” në Vaun e Dejës, një i arrestuar, të tjerë në kërkim

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, dhe të mbështetura nga Forca Operacionale dhe njësia “Shqiponjat”, kanë finalizuar fazën e pestë të operacionit policor të koduar “Neonët 5”. Ky operacion synon evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Gjatë kontrollit të ambienteve, janë zbuluar dy ambiente (banesa) në fshatin Barbullush, Vau i Dejës, të cilat ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike duke përdorur pajisje me llamba.

Në kuadër të operacionit, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. Ç., 31 vjeç, banues në Shkodër. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim shtetasit:

  • Gj. G., 46 vjeç
  • L. G., 53 vjeç
  • E. G., 43 vjeç
  • M. G., 51 vjeç

Të gjithë këta të fundit rezultojnë banues në fshatin Barbullush.

Gjithashtu, janë ndaluar edhe tre punonjës të OSHEE-së, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën në bashkëpunim. Këta persona janë:

  • F. H., 31 vjeç, banues në fshatin Ashtë
  • A. Gj., 46 vjeç, banues në fshatin Barbullush
  • Z. N., 27 vjeç, banues në fshatin Mali i Jushit

Në total, në kuadër të operacionit “Neonët 5”, numri i ambienteve të zbuluara dhe të goditura arrin në 9.

Gjatë kontrolleve në dy ambientet e zbuluara në fshatin Barbullush, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale:

  • 583 bimë të dyshuara narkotike kanabis
  • 7 kg e 490 gr kanabis
  • 307 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike
  • 3 celularë

Puna intensive për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale vijon. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top