Goditja e disa grupeve që shpërndanin drogë në Tiranë, si u infiltruan policët
Nën emrat e koduar Kristi, Afrimi, Hasani, Rei dhe Astriti, agjentë të maskuar tentuan të blinin kokainë dhe hashash nga 22 shpërndarës droge në Tiranë. Pasi diskutuan për cilësinë e lëndës narkotike, shpërndarësit u përballën me policinë.
Detajet e fashikullit hetimor u bënë të ditura në gjykatën penale gjatë masës së sigurisë ndaj shpërndarësve, të cilët akuzohen se shisnin narkotikë në pika të caktuara në Tiranë.
Gjatë seancës me dyer të mbyllura, njëri nga shpërndarësit e drogës kërkoi mëshirë, duke deklaruar se ishte kujdestari i nënës së tij, e cila ishte e verbër, dhe i vëllait, i cili ishte paralizuar. Përpara se gjykata të shprehej, prokurori ndryshoi qëndrim për të dyshuarin dhe nga masa e arrestit në burg, sugjeroi një masë më të butë.
“Janë secili rast më vete, nuk ka grup të strukturuar, se ndryshe do të ishin te SPAK si grup i strukturuar kriminal. Të gjithë këta pothuajse janë për kokainë”, u shpreh avokati Selim Kryeziu.
Sipas avokatit Kryeziu, policia po përdor gjithnjë e më shumë përdorues droge si informatorë. “Të gjithë të dyshuarit janë persona të skeduar nga policia e shtetit dhe operacioni ka shkuar direkt te personat që ishin të njohur nga organet e policisë”, tha ai.
Aktualisht, në burgje janë 124 përdorues droge, të arrestuar kryesisht gjatë veprimtarive të paligjshme, por shumë të tjerë janë edhe për krime si dhuna në familje dhe konfliktet fizike. Megjithëse indikatorët tregojnë një rritje të numrit të përdoruesve të drogës, zyrtarisht nuk ekziston asnjë shifër e përafërt.
