Enj. Nën 22nd, 2018

Opozita kërkon largimin e Ballës nga delegacioni Parlamentar i Stabilizim-Asociimit

TIRANË, 7 tetor /ATSH- I. Vata/ “Opozita kërkon largimin e Taulant Ballës nga Delegacioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit, me argumentin se shoqërohet me trafikantë droge dhe mbron përdhunues me pushtet”, shprehet Partia Demokratike në një deklaratë për mediat.

Partia Demokratike shprehet se  “Opozita e konsideron të papërshtatshëm dhe kundër produktiv për interesat europiane të Shqipërisë që Taulant Balla të jetë pjesë e Delegacionit Parlamentar dhe bashkëkryesues i Komisionit të Përbashkët të Asociim Stabilizimit me Bashkimin Europian”.

Në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, anëtarët e opozitës në Delegacion, Genc Pollo, Albana Vokshi, Klajda Gjosha, Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi  kërkuan zëvendësimin e Ballës me një tjetër socialist, pa lidhje kriminale.

“Anëtarët e opozitës argumentojnë se Shqipëria nuk mund të përfaqësohet në bisedimet me Brukselin në mbledhjen e 15 Tetorit me një politikan që ka pranuar publikisht se ka mik familjar një të dënuar të rrezikshëm për trafik ndërkombëtar droge, pasuria e te cilit është shumëfishuar pas miqësisë me Taulant Ballën”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu, PD shton se “Anëtarët e opozitës vënë në dukje se Taulant Balla nuk mund të përfaqësojë Kuvendin në marrëdhëniet me Parlamentin Europian, për shkak se mbi të rëndoj akuza se ka marrë pjesë në kërcënimin me pistoletë në kokë të një oficeri policie, që ai të mbyllte çështjen e përdhunimit të djalit të një deputeti tjetër socialist”.

Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit, PD shprehet se “anëtarët e opozitës vënë në dukje se prania e Taulant Ballës në Delegacionin e Stabilizim Asociimit nuk është në përputhje me përputhje me kërkesat kryesorë për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm “rivendosjen e besimit publik tek institucionet e shtetit dhe luftën pa kompromis ndaj kriminalitetit e korrupsionit, sidomos në postet publike”. /j.p/

Kategori