Nesër opozita organizon protestën kombëtare, Sali Berisha shpalos skenarin: Deputetët nuk do të jenë në vijën e parë
Botuar më 21.03.2026 nga shekulli_admin
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë detaje rreth skenarit të protestës kombëtare që opozita do të zhvillojë nesër. Ai theksoi se deputetët nuk do të qëndrojnë në vijën e parë të tubimit.
Sipas Berishës, deputetët janë udhëzuar të shpërndahen pranë protestuesve të zonave të tyre, si pjesë e një strategjie organizative për të rritur pjesëmarrjen dhe koordinimin në terren.
“Deputetët kanë porosi të mos jenë në radhët e para, por të shkojnë pranë protestuesve të zonave të tyre. Kjo mund të ndryshojë. Ishte një taktikë dhe qëndrim ynë”, u shpreh ai.
Në një komunikim online me qytetarët, Berisha shtoi se gjatë ditëve të fundit është punuar intensivisht për mobilizimin e qytetarëve, duke theksuar nevojën për një organizim sa më të mirë dhe të strukturuar të protestës.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Partia Popullore Europiane (PPE) ka shprehur mbështetje për opozitën dhe vendosmërinë e saj për të vijuar protestat paqësore.
“Partia Demokratike, anëtare e asociuar e PPE, ishte e ftuar në të gjitha ngjarjet ku u morën vendime të rëndësishme për vetë Bashkimin Europian, si dhe për konkurrencën brenda këtij bashkimi ose konkurrencën e tij me rregulla të reja lehtësuese për tregun dhe biznesin. U diskutuan çështje të mëdha lidhur me Ukrainën dhe mbështetjen e plotë për të, si dhe mënyrat e përballimit të krizës energjetike të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme dhe dëmet e konsiderueshme që Irani i ka shkaktuar objekteve të naftës dhe gazit në rajonin më strategjik të botës për energjinë, Prape Persik. Mbështetja për opozitën dhe përpjekjet e saj është e plotë nga PPE, nga liderët e këtyre partive dhe nga partitë e mëdha të qendrës së djathtë në Europë, si CDU. Diskutuam gjerësisht mbi bashkëpunimin me këto parti, si dhe i njoha ata me vendosmërinë, rezistencën dhe kryengritjen tonë paqësore për të përmbysur këtë regjim të paligjshëm. Informova gjithashtu për zhvillimet dramatike të javëve të fundit, ku Edi Rama mori përsipër të gjithë fajin, duke bllokuar sistemin e drejtësisë përfundimisht me një paketë ligjore që po përgatit si mburojë për vjedhjet e tij dhe të qeveritarëve”, tha ai.
Lidhur me protestën kombëtare që do të mbahet nesër para Kryeministrisë, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në demonstratë.
“Shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të përmbushim detyrën tonë ndaj këtij regjimi, të ngrihemi fuqishëm kundër Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale, e cila së fundmi i mbylli dyert e Europës Shqipërisë me mburojën që krijon për vjedhjet e tij dhe të organizatës së tij kriminale. Sot është detyrë e çdo qytetari shqiptar, pavarësisht bindjeve të tij, pasi jam i bindur se shqiptarët votojnë për një Shqipëri në Europë, një Shqipëri që integrohet në BE, votojnë për një Shqipëri që respekton shtetin e së drejtës, që lufton në mënyrë të vendosur dhe ligjore korrupsionin. Le të bashkohemi nesër në orën 6 në rrugët dhe sheshet e Tiranës për të treguar forcën tonë, shpirtin tonë të pamposhtur, me kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Tirana”, tha Berisha.
