Opozita proteston sot kundër afera të dyshuara, aksion i përjavshëm para kryeministrisë
Opozita do të nisë sot një aksion proteste, të cilin ish-kryeministri Sali Berisha e ka përshkruar si një “platformë parlamentare”. Protesta e planifikuar për sot do të zhvillohet në orën 18:00. Sipas njoftimeve nga selia e Partisë Demokratike (PD), ky aksion do të jetë i përjavshëm dhe pritet që deputetë dhe qytetarë të mbajnë fjalime.
Protesta vjen pas publikimit të informacionit rreth një afere 50 milionë eurosh të lidhur me Belinda Ballukun dhe tunelin e Llogarasë, çështje për të cilën ajo është marrë e pandehur nga SPAK. Përveç kësaj, opozita proteston edhe për kufizimet dhe ngushtimin e hapësirave të debatit në Kuvend. PD akuzon mazhorancën se po pengon zhvillimin normal të seancave parlamentare.
Ditën e djeshme, Sali Berisha shkroi në rrjetin social Facebook se “Partia Demokratike ndërmerr hapin më të rëndësishëm kundër narkoparlamentit të kontrolluar nga Ramaduro. Fillimi i platformës parlamentare, përpara kryeministrisë! Kjo është alternativa e vetme që mbetet pasi parlamenti kalon qeverinë, programin dhe buxhetin pa debat! Dhe në kushtet që opozita lejohet të flasë vetëm 1 herë nga 9 seanca parlamentare!”.
