Organizata mjedisore kundër resortit në Sazan të Kushner

Nën titullin: **Organizata mjedisore kundër resortit të Jared Kushner në Sazan**

Një grup organizatash ndërkombëtare të përkushtuara ndaj mbrojtjes së mjedisit i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare të tërhiqet nga projekti për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit, i cili është projektuar nga një kompani e lidhur me familjen e dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Një koalicion prej 41 organizatash mjedisore nga 28 vende të ndryshme të botës i ka kërkuar qeverisë shqiptare të pezullojë projektin e miratuar për zhvillimin e një resorti luksoz në Ishullin e Sazanit. Ky ishull është i vetmi i Shqipërisë dhe shtrihet pranë Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan.

Në një letër të dërguar Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj, organizatat theksojnë se ky projekt dhe mënyra e miratimit të tij janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Sipas tyre, projekti parashikon ndërhyrje në një sipërfaqe prej rreth 45 hektarësh dhe rrezikon seriozisht biodiversitetin e zonës, duke prekur habitate të ndjeshme dhe kritike për lloje të mbrojtura. Organizatat kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të çdo vendimmarrjeje për avancimin e projektit, si dhe përfshirjen e tokës së ishullit në Parkun Kombëtar Detar. Ato gjithashtu i bëjnë thirrje qeverisë që Sazani të njihet si Zonë Kandidate Emerald dhe të përfshihet në rrjetin e ardhshëm Natura 2000.

Në dhjetor 2024, qeveria shqiptare i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC, një kompani e lidhur me Kushner, e cila ka propozuar projektin për zhvillimin e Sazanit. Sipas qeverisë shqiptare, parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh në ishull dhe ndërtimi pritet të shtrihet në 8 për qind të territorit të tij.

Organizatat theksojnë se ishulli dhe ujërat përreth tij janë habitat jetik për disa nga speciet më të rrezikuara detare në botë. Këtu përfshihet foka e Mesdheut (Monachus monachus), e cila është e përfshirë në Listën e Kuqe të IUCN-së dhe mbrojtur nga Konventa për Speciet Migratore (CMS).

“Ndërtimi i një resorti luksoz, me ndërhyrje infrastrukturore në shkallë të gjerë si trafiku detar, rrugët dhe sistemet e kanalizimeve, përbën një kërcënim serioz për këto habitate të brishta,” shprehen mjedisorët. Ata shtojnë se ndërhyrje të tilla, të cilat sjellin zhurmë, ndriçim artificial, ndotje dhe rritje të pranisë njerëzore, mund të largojnë faunën nga zonat kritike, përfshirë shpellat bregdetare që janë thelbësore për mbijetesën e fokës së Mesdheut.

Sipas tyre, zona Karaburun-Sazan është vendbanim për 36 lloje të tjera detare të rrezikuara globalisht. Këto përfshijnë bimë detare, molusqe, krustace, peshq, zvarranikë dhe cetace, të mbrojtura nga një sërë konventash ndërkombëtare, si Konventa e Barcelonës, Konventa e Bonit, CITES dhe Konventa e Bernës.

Në letër nënvizohet se livadhet e Posidonia oceanica dhe shpellat bregdetare të Sazanit janë habitate kyçe për këto specie dhe të pazëvendësueshme për ekosistemin e Mesdheut. Organizatat mjedisore gjithashtu kujtojnë se monitorimi sistematik i kryer që nga viti 2019 ka konfirmuar praninë e qëndrueshme të fokës së Mesdheut dhe një biodiversitet të pasur në zonën e mbrojtur Karaburun-Sazan.

Scroll to Top