Origjina e Flamurit të Pavarësisë Shqiptare: Një Analizë

Ngjarjet e mëdha dhe të rëndësishme për popujt dhe kombet gjithmonë prodhojnë histori, analiza, biseda dhe debate. Rishqyrtimi apo ripërdorimi i këtyre ngjarjeve mbetet aktual kur ato rikthehen në vëmendjen e popujve në mënyrë ciklike, për shkak të festimeve si të rëndësishme për komunitetin. Të tilla kanë qenë dhe janë dy datat e rëndësishme të historisë moderne për shqiptarët, 28 dhe 29 nëntori.

Në rastin e 28 nëntorit, shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, zhvillohen tri diskutime, pavarësisht se nuk zotërojmë privat apo publikisht subjektet e tyre: çështja e flamurit të pavarësisë, kush e solli apo kush e qëndisi; çështja e dokumentit të pavarësisë, kush e ruajti dhe si humbi; si dhe çështja e akteve të plota origjinale të kuvendit të Vlorës, për të cilat nuk kemi më gjurmë, që kur i botoi Lef Nosi në vitet pas pavarësisë.

Të tria këto elementë, artefakte dhe dokumente, sot nuk posedohen nga asnjë institucion i Shqipërisë dhe nuk dihet nëse ndodhen diku, apo duhen konsideruar të humbura.

Duke marrë shkas nga një dokument që nuk ka qarkulluar gjerësisht më parë në duart e historianëve apo në sytë e publikut, sjellim këtu një kronikë mbi origjinën e flamurit të pavarësisë. Por, më parë, pak histori.

Studimet e deritanishme na ofrojnë katër prejardhje të flamurit që u ngrit pasditen e 28 nëntorit 1912 nga duart e Ismail Qemalit në ballkonin e shtëpisë në Vlorë.

  • Sipas variantit të parë, flamurin e qëndisi apo e stampoi Marigo Pozio dhe, më pas, sipas po atij modeli, prodhoi edhe flamurë të tjerë që u ngritën në ndërtesat e tjera qeveritare.
  • Sipas variantit të dytë, flamurin e pavarësisë e kishte mbajtur pranë shtratit Eqrem bej Vlora që prej vitit 1909, kur ia kishte dhuruar Aladro Kastrioti, një aventurier që pretendonte se ishte pasardhës i Skënderbeut dhe pretendues i fronit të Shqipërisë më 1914. Këtë flamur e hoqi nga korniza mbi shtrat Amalie von Godin, një mikeshë e Eqrem Vlorës në atë kohë.
  • Sipas variantit të tretë, flamurin e pavarësisë e solli në Vlorë, nga Amerika dhe përmes Bukureshtit, patrioti Spiridon Ilo, një nga firmëtarët e aktit të pavarësisë.
  • Variantin e katërt na e sjell Prof. Frederik Stamati në një artikull botuar më parë. Në këtë artikull citohet një reagim i Leonidha Naçit, botuar në gazetën “Vatra” më 2 dhjetor 1934, i ngjashëm në përmbajtje me atë që sjellim këtu, por krejt telegrafik.

Varianti i historisë së flamurit sipas patriotit Leonidha Naçi, të cilin e prezantojmë, gjendet në një dorëshkrim që përmban kujtimet e vetë atij. Këto kujtime Naçi i shkroi gjatë ose pas vitit 1939, siç thotë në fletën e parë të tyre, duke synuar të përshkruajë veprimtarinë e tij patriotike prej vitit 1895 deri më 1939. Këtë, sipas tij, e bën që t’ia lërë kujtim të birit, jo për t’u botuar. Kujtimet ruhen në dorëshkrim, në fletë të thjeshta fletoreje, të shkëputura nga njëra-tjetra, të shkruara me bojë të zezë.

Pasi përshkruan kohën e studimeve, vitet kur jepte mësim në shkolla të ndryshme, burgosjen dhe endjet nëpër Ballkan si mësues e gazetar, përpjekjet për hapjen e një kursi të gjuhës shqipe në Athinë dhe hapjen për pak kohë të një kursi të shqipes në Korfuz, Naçi na informon për çështjen e flamurit (sjellim transkriptimin diplomatik, pa ndërhyrë në tekst):

Fleta e parë e dorëshkrimit të Leonidha Naçit. (AQSH i RSH, Fondi: “Leonidha Naçi”, Dosja: 5, fl. 1.)

Pjesa e dorëshkrimit ku ndodhet historia e flamurit. (AQSH i RSH, Fondi: “Leonidha Naçi”, Dosja: 5, fl. 46.)

“Disa prej patriotëve tanë formuan një çetë kryengritëse për në Shqipëri, që vuante aq shumë nga ndjekjet e Xhon Turqve dhe Shqiptarit Xhavid Pashajt. Kjo çetë, e përbërë prej 11 vetash me të shumtit Korçarë, ishte vënë nënë kryesinë e Kol Rodhes dhe sillte me vete dhe një flamur të mëndafshtë të dhuruar prej shqiptarëve të Amerikës. Në Brindis morën lajme të hidhura për vrasjen në Korçë të 6 dëshmorëve dhe burgosjen e Themistokliut. Koli me 8 shokë arriti në Korfuz, dhe dy nga shokët i kishte lënë me plaçkat dhe flamurin në Brindis. Më takoi dhe u fjalosa gjer e gjatë dhe më tha që ai doli nga Amerika që të hynte me doemos si kryengritës në Shqipëri, dhe nuk do të ndalonte para pengimeve që i paraqiteshin. I thashë të ju shkruante shokëve të tij në Brindis të vinin në Korfuz të sillnin dhe flamurin, dhe u mora vesh me autoritetet e vendit të mos hapeshin teshat e tyre në doganën e Korfuzit, që të mos bëhej bujë prej Himarjotëve të atyshëm. Kështu u bë, arriti, ju dola përpara, mora prej tyre në dorëzim arkën me flamurin, po me qenë se familja ime ishte dhe banonte jashtë Korfuzit, në Pontikonisi, dhe me qenë se jetoja në Korfuz bashkë me kunetërit e mi, i këshillova të ja jepnin arkën me flamurin Marigosë Pozhjos (Papakosta Poçi) që ndodhej në Korfuz për vilëgjaturë [pushime, S. Ç.]. Për këtë flamur që u gjet ditën 28 Nëntor 1912 dhe u ngrit atë ditë dhe u përdor për hyrnek që qëndisnë dhe të tjera flamurë, u bë fjalë shumë më vonë se Marigoja kishte ambicion të thoshte se flamuri që u ngrit për të parën herë atë ditë e qëndisi ajo vetë me duart e saja!! Marigoja ishte patriote, po deshte ta monopolizojë patriotizmin shqiptar, dhe po të ishte e mundur të futej hundët kudo qoftë dhe në politikë!!” [AQSH i RSH, Fondi: “Leonidha Naçi”, Dosja: 5, fl. 46.]

Siç duket nga rrëfimi i Naçit, ngjarja ka ndodhur pak ditë pas vrasjes së 6 dëshmorëve të Orman Çifligut më 17 korrik 1911 në Korçë. Pavarësisht rrethanave të rrezikshme, çeta e atdhetarëve të Amerikës, me në krye Kol Rodhen, kishte udhëtuar me dy grupe nga Brindisi në Korfuz, me synim kalimin prej andej në brigjet e Shqipërisë. Posedimi i flamurit në bagazhet e çetarëve të nisur për luftë është krejtësisht i natyrshëm; ky ishte simboli rreth të cilit bashkoheshin në përpjekjen e tyre për fitimin e lirisë së Shqipërisë. Pra, flamurin nuk e kishin marrë me vete për ta çuar në Vlorë; ky ishte flamuri që do t’u printe në betejat, drejt të cilave ishin nisur.

Flamuri shkoi në Vlorë krejt rastësisht, në rrugën më të sigurt, përmes duarve të patriotes së besuar, Marigo Pozios. A qëndroi flamuri në kutitë e znj. Pozio deri pothuaj pas një viti e gjysmë, më 28 nëntor 1912? Sigurisht që nuk mund ta themi, teksa i vetmi person që do ta saktësonte këtë ishte Marigo Pozioja vetë. Mirëpo, znj. Pozio mbeti mbështetëse e variantit që mbizotëron edhe sot, se ajo e qëndisi flamurin. Në dobi të saj këtë e pohon, ca vite më vonë, edhe Kristo Floqi [“Gazeta e Re”, 9 dhjetor 1928]. Pikërisht këtë variant të M. Pozios dhe të K. Floqit kërkon ta kundërshtojë Leonidha Naçi me variantin e tij të historisë, siç na thotë në parathënien e kujtimeve: “Në vazhdimin e shënimeve që vendosa të përmbledh në këtë broshurë do të paraqiten […] për çashtjen e flamurit të Shqiptarëve të Amerikës, mbi të cilën ka shkrojtur Floqi dhe Koli Rodhja […].” [AQSH i RSH, Fondi: “Leonidha Naçi”, Dosja: 5, fl. 3.].

Nga variantet e mësipërme që rrëfejnë historinë e prejardhjes së flamurit të 28 nëntorit, vetëm dy prej tyre nuk marrin autorësinë apo pronësinë mbi atë flamur. Këta janë Kristo Floqi dhe Leonidha Naçi. Por janë variante të kundërta dhe nuk na ndihmojnë për të përcaktuar atë të drejtin, atë mbizotëruesin dhe më pranë së vërtetës.

E sigurt mbetet një gjë: se flamuri i 28 nëntorit ka kaluar nga duart e Marigo Pozios, para se të varej në shtizë dhe të valëvitej prej duarve të Ismail Qemalit. Kështu, sërish nuk e themi dot si qëndron e vërteta, nëse Marigo Pozioja është bartësja e flamurit dhe prodhuesja e kopjeve të tij, apo edhe autorja e flamurit të parë të ditës së pavarësisë.

Mbetet të kënaqemi me këtë prodhimtari të begatë variantesh për autorësinë e flamurit, si dhe të urojmë që shqiponja dykrenore të valëvitet përherë krenare në trojet e shqiptarëve. Gëzuar festën e pavarësisë!

Scroll to Top