Viktor Osimhen: Në Napoli më trajtuan si qen, më lëndon mungesa e faljes publike
Sulmuesi i Gallatasarayt, Viktor Osimhen, ka rrëfyer për herë të parë detajet e largimit nga Napoli dhe polemikat që tronditën klubin. Ai zbuloi se në një situatë tjetër, do të kishte veshur fanellën e Juventusit dhe do të punonte me trajnerin Luçiano Spalletti, i cili e udhëhoqi Napolin drejt titullit historik.
“Në Stamboll kam gjetur një shtëpi. Kam gjetur një klub dhe një qytet që i dua. Mbase ishte fat. Sapo mbërrin në Stamboll, e kupton pse kushdo që ka luajtur këtu është dashuruar me ekipin dhe njerëzit. Nuk kisha përjetuar kurrë diçka të tillë,” u shpreh fillimisht nigeriani.
Osimhen vlerësoi ambiciet e Gallatasarayt. “Duam të lëmë gjurmë në Europë. Në Turqi jemi një realitet i konsoliduar, por tani synojmë më shumë,” vazhdoi ai.
Marrëdhënia me Spallettin
Sulmuesi shprehu respekt për trajnerin që e çoi Napolin drejt titullit. “Thuhej se ziheshim, por nuk ishte e vërtetë. E vlerësoj shumë. Ai ka fjetur me muaj në qendrën stërvitore për të na bindur se mund ta fitonim titullin. Na kërkonte shumë, por na jepte edhe më shumë. Disa trajnerë të rrisin fillimisht si njeri e pastaj si futbollist,” tha ai.
Lidhur me nivelin e tij aktual, Osimhen deklaroi me vetëbesim: “Nuk më pëlqejnë krahasimet, por e di që jam ndër qendërsulmuesit më të mirë në qarkullim. Nëse nuk jam numri një, jam numri dy. Ose, në fund të fundit, numri tre.”
Interesimi i Juventusit
Osimhen konfirmoi interesimin e Juventusit. “Para se të fillonin bisedimet me Gallatasarayin, Xhuntoli më telefonoi për të më çuar te Juventusi. Fola me disa persona nga klubi, interesi ishte konkret. Por e dija që De Laurentis nuk do të më linte të largohesha. Kur të telefonon Juventusi, duhet të ulesh dhe të dëgjosh,” sqaroi ai.
Videoja në “TikTok” dhe trajtimi te Napoli
Kriza me Napolin shpërtheu pas një videoje ironike në TikTok, ku Osimhen krahasohej me një arrë kokosi pas një penalltie të humbur kundër Bolonjës. Ky episod u konsiderua nga shumëkush si aludim racist.
“Çdokush mund të humbasë një penallti. Napoli e bëri vetëm me mua, me aludime të një lloji të caktuar. U bëra viktimë e fyerjeve raciste dhe vendosa të largohem. Fshiva fotot me fanellën e Napolit nga ‘Instagrami’ dhe ata e përdorën këtë për të më vënë kundër tifozëve,” deklaroi Osimhen.
Duke folur për marrëdhënien me presidentin Aurelio De Laurentis, Osimhen tha: “Kishim një marrëveshje xhentilmenësh që verën pasuese mund të largohesha, por angazhimi nuk u mbajt plotësisht. U përpoqën të më dërgonin kudo, më trajtuan si qen. Shko këtu, shko atje, bëj këtë, bëj atë… Kam sakrifikuar shumë për karrierën time. Nuk jam kukull.”
Ai mohoi zërat se Antonio Conte nuk e dëshironte në skuadër. “Conte më thirri në zyrë dhe më tha se donte të qëndroja. Do të më pëlqente të punoja me të, por tashmë kisha marrë vendimin. Nuk mund të vazhdoja në një vend ku nuk ndihesha i lumtur.”
Ajo që e lëndon më shumë? “Askush nuk kërkoi falje publikisht. U përhapën zëra se vonohesha në stërvitje apo se zihesha me shokët. Janë gënjeshtra. Më vjen keq për tifozët, por i kuptoj, për ta Napoli është mbi gjithçka,” mbylli sulmuesi.
