Osmani: Zgjedhjet lokale & kombëtare, procese të ndara

Osmani: Zgjedhjet lokale dhe ato kombëtare nuk duhet të ngatërrohen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se zgjedhjet nacionale dhe ato lokale janë procese krejtësisht të ndara.

Këto komente ajo i bëri pasi u pyet lidhur me çështjen e Glauk Konjufcës si mandatar i dytë për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes, duke theksuar se nëse vendi do të shkojë në zgjedhje, kjo varet nga partitë politike.

“Këto janë dy procese komplet të ndara. Natyrisht, zgjedhjet lokale në Kosovë nuk kanë ndikim në proceset në nivel nacional, në të cilin po kalojmë. Proceset në nivel nacional po zhvillohen në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit, dhe do të shohim në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë. Por, ajo që është e rëndësishme është se Kosova në çdo palë zgjedhje tregon maturi, tregon se respektohet qytetari, tregon se respektohet e drejta e votës, dhe jo vetëm që këto rezultate në zgjedhjet lokale nuk kanë ndërlidhje me zgjedhjet nacionale. Dhe zgjedhjet nacionale, kurdo që do të zhvillohen, sepse kjo varet nga partitë politike, jam e bindur se do të jenë edhe një gur më shumë në kalimin e demokracisë që kemi ndërtuar për kaq shumë vite”, tha Osmani.

Osmani më herët ka theksuar se Kosova është shembull i votës demokratike.

“Edhe sot, në balotazh, pra në raundin e dytë, është një ditë e rëndësishme, po aq sa ishte edhe raundi i parë i zgjedhjeve, sepse qytetarët tanë, përfundimisht, sot vendosin jo vetëm se kush do t’i udhëheqë komunat ku ata jetojnë, por njëkohësisht vendosin për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Për shumë mundësi në komunat ku ata jetojnë, rrjedhimisht, shpresoj që secili prej qytetarëve me të drejtë vote do ta shfrytëzojë këtë të drejtë dhe do të dalë në votime. Kosova ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon, dhe kjo është për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve, për shkak të rregullsisë së proceseve zgjedhore dhe për shkak se gjithmonë organizojmë zgjedhje të lira e demokratike”, tha Osmani.

Ajo është shprehur e bindur se edhe sot do të ketë zgjedhje të lira demokratike dhe secili qytetar do ta ushtrojë këtë të drejtë.

“Jam e bindur plotësisht se dita e sotme do të jetë e tillë, ku do të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike, ku secili qytetar do ta shfrytëzojë të drejtën e tij kushtetuese për të vendosur për komunën ku jeton dhe për shërbimet dhe mundësitë më të mira”, deklaroi Osmani.

Scroll to Top