OSSH ul me 5.9 miliardë lekë planin e investimeve për vitet 2026-2027
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka bërë një ulje prej rreth 5.9 miliardë lekësh në planin e investimeve për periudhën 2026-2027. Kjo reduktim është përqendruar kryesisht në vitin e ardhshëm, sipas dokumenteve të dërguara nga kompania pranë Entit Rregullator të Energjisë (ERE).
Plani i rishikuar parashikon investime prej rreth 8.46 miliardë lekësh për vitin 2026, krahasuar me 9.07 miliardë lekë të planifikuara më parë. Diferenca për këtë vit është rreth 606 milionë lekë.
Ndryshimi më i ndjeshëm vihet re për vitin 2027. Investimet e planifikuara janë ulur në rreth 7.17 miliardë lekë, nga afërsisht 12.45 miliardë lekë në versionin paraprak të planit, duke shënuar një reduktim prej rreth 5.28 miliardë lekësh.
Në total, ndryshimi i planit për të dy vitet arrin në rreth 5.88 miliardë lekë.
OSSH sqaron se ky rishikim është pjesë e procesit të zakonshëm të përditësimit të planit pesëvjeçar të zhvillimit të rrjetit të shpërndarjes për periudhën 2023-2027. Synimi është përshtatja e programit të investimeve me ecurinë reale të projekteve dhe me mundësinë e zbatimit të tyre.
Sipas operatorit, ndryshimi i shumës totale lidhet kryesisht me:
- Rishikimin e vlerave të projekteve ekzistuese.
- Përfshirjen e projekteve të reja.
- Zhvendosjen në kohë të disa investimeve.
- Kursimet e krijuara gjatë procedurave të prokurimit.
“Nga pikëpamja ekonomike, rishikimi synon parashikimin dhe llogaritjen sa më të saktë të investimeve, rialokimin kohor të tyre dhe përdorimin më racional të financave,” thuhet në përgjigjen e OSSH-së drejtuar ERE-s.
OSSH thekson se gjatë procesit janë rivlerësuar nevojat operative të rrjetit, prioritetet dhe koha e realizimit të projekteve, duke ruajtur objektivat për zhvillimin dhe përmirësimin e sistemit të shpërndarjes.
Operatori sqaron gjithashtu se këto ndryshime nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht heqjen e investimeve nga programi. Një pjesë e tyre janë zhvendosur nga një vit në tjetrin, ndërsa projekte të tjera janë riformuluar ose rishikuar në varësi të kostove dhe fazës së zbatimit.
