“Komplot i koordinuar”, Pacolli: Nuk do të bëj lëshime për atë që është e imja
Behgjet Pacolli ka reaguar sërish lidhur me zhvillimet e fundit rreth investimit për aeroportin e Vlorës, ku së fundi është nisur një hetim nga Prokuroria e Tiranës.
Pacolli deklaron se nuk do të bëjë asnjë lëshim për atë që i takon, duke shtuar se nuk ka dhënë asnjë intervistë apo nuk ka iniciuar asnjë proces gjyqësor. Sipas tij, dikush tjetër po merret me këto çështje, ndërkohë që ai nuk është ftuar ende nga askush për të dhënë sqarime.
Ai shtron pyetjen se çfarë është ky komplot i koordinuar kundër tij në Shqipëri, pikërisht tani që ndërtimi i aeroportit po afron drejt përfundimit, si dhe kush po e orkestron këtë fushatë shpifjesh dhe pse.
“Nuk jam më gati për lëshime për atë që është e imja, por nuk do të pranoj kurrë asgjë që nuk më takon,” deklaron Pacolli.
Ai ka theksuar se kontributi i tij ka qenë i ndershëm, me qindra milionë euro investime të cilat vijnë 100% nga asetet e tij personale, të dokumentuara dhe të garantuara me fonde dhe kolaterale private. Ai ka siguruar se asnjë qindarkë publike nuk është përdorur, por gjithçka ka ardhur nga puna, besimi dhe sakrifica e tij.
“Faktet, dokumentet dhe Zoti janë dëshmitarë të qëllimeve të mia të mira,” vijon Pacolli.
Ai shpreh dëshirën për të lënë një trashëgimi në Vlorë, duke ditur mirë se ky investim do të jetë i vështirë për t’u kthyer. Megjithatë, Pacolli siguron se nuk mund të durojë më këtë padrejtësi, ku përbaltet emri, dinjiteti dhe investimi i tij. Ai mbyll duke thënë se këto sulme të organizuara do t’i përballojë me të vërtetën dhe me faktet në dorë.
