Pagesat e Çastit: Hapi përpara drejt Shqipërisë pa para në dorë

Minxhozi: Pagesat e çastit, thelbësore për objektivin e Shqipërisë pa para në dorë

Sot, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u zhvillua mbledhja e njëmbëdhjetë vjetore e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave (KKSP). Mbledhja u drejtua nga Luljeta Minxhozi, Kryetare e këtij Komiteti dhe Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Financave, Banka Botërore, bankat tregtare, institucionet financiare jobanka, operatorët e skemave kombëtare të pagesave me kartë, dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

Aktiviteti u hap nga Zëvendësguvernatorja Minxhozi, e cila theksoi rolin kritik që po merr Komiteti Kombëtar i Pagesave për të garantuar që transformimet teknologjike të një ekonomie që po digjitalizohet me ritme të shpejta të ecin në të njëjtin hap me zhvillimet rregullatore.

Në fjalën e saj, zj. Minxhozi u ndal në operacionalizimin e transaksioneve SEPA që prej datës 7 tetor, çka përfaqëson një nga sukseset më të mëdha strukturore të sistemit financiar shqiptar. Zj. Minxhozi renditi përfitimet ekonomike të qytetarëve dhe bizneseve që vijnë nga aderimi në SEPA si:

  • Pagesa në euro brenda SEPA me të njëjtat standarde si në BE, shpejtësi dhe kosto të ulëta;
  • Thjeshtim të procesit të pagesave ndërkufitare;
  • Rritje të transparencës;
  • Rritje të konkurrueshmërisë së sektorit bankar vendas, përmes standardeve të harmonizuara dhe teknologjive të avancuara etj.

Më tej, zj. Minxhozi nënvizoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në kuadër të përditësimit të infrastrukturave kombëtare të pagesave, AIPS, AIPS EURO dhe AECH, duke implementuar standardet ISO 20020 dhe SEPA për pagesat me vlerë të vogël. Këto standarde sigurojnë një rritje të qëndrueshmërisë së sistemeve, si dhe shërbejnë për të përgatitur infrastrukturën për marrjen dhe ofrimin e shërbimeve të avancuara evropiane.

Gjithashtu, zhvillimet teknologjike në këto sisteme u shoqëruan dhe me ndryshime rregullatore, të cilat synojnë të nxisin përdorimin e pagesave elektronike në treg, duke i bërë ato më të lira për publikun.

Një tjetër arritje e rëndësishme e Bankës së Shqipërisë në modernizimin e sistemit të pagesave është dhe Open Banking dhe përdorimi i tij nga dy institucione të licencuara për kryerjen e këtyre shërbimeve. Ky model i ri bankar u mundëson individëve të aksesojnë të dhënat e llogarive të tyre dhe të realizojnë pagesa përmes palëve të treta, të ndryshme nga bankat.

Zëvendësguvernatorja Minxhozi u ndal dhe në një tjetër projekt strategjik të Bankës së Shqipërisë, projektin TIPS Clone (instant payments), i cili synon të krijojë një platformë kombëtare të pagesave të shpejta të përputhshme me standardet evropiane, dhe është një nga shtyllat e nismës së Qeverisë Shqiptare “Cashless Albania”.

Zj. Minxhozi shprehu bindjen se, përmes bashkëpunimit të ngushtë të Bankës së Shqipërisë dhe të gjithë aktorëve të tregut, do të garantohet ndërtimi i një infrastrukture pagesash të denjë për një vend që synon integrim në Bashkimin Evropian.

I pranishëm në këtë mbledhje, Zëvendësministri i Financave, z. Endrit Yzeiraj, veçoi se nisma e qeverisë “cashless Albania” është një transformim i thellë ekonomik e shoqëror, një hap që Shqipëria duhet të ndërmarrë me vendosmëri për t’u bërë një ekonomi më moderne e më konkurruese. Kjo nismë ndihmon rritjen e formatizimit dhe të aksesit financiar të popullatës.

Z. Yzeiraj përmendi disa nga masat e qeverisë në drejtim të digjitalizimit, siç është ulja e kufirit për pagesat cash midis bizneseve dhe ofrimi i mundësive për pagesa elektronike për klientët fundorë.

Duke shprehur vlerësimet e tij për punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në kuadër të modernizimit të sistemit të pagesave, Zëvendësministri Yzeiraj shprehu mbështetjen e qeverisë për nismat që do të dalin nga ky Komitet, për promovimin dhe zhvillimin e inovacioneve digjitale.

Scroll to Top