9-mujori i 2025: Pagesat për koncesionet dhe PPP-të arrijnë në 100 milionë euro
Gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, pagesat për kontratat koncesionare dhe partneriteteve publiko-private (PPP) arritën në 9.61 miliardë lekë, ekuivalente me rreth 100 milionë euro. Kjo shumë përbën 69% të planit vjetor të pagesave.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, muaji shtator ka shënuar nivelin më të lartë të pagesave, me 2.14 miliardë lekë, ose 22.3% të totalit të nëntëmujorit. Pjesa më e madhe e këtyre pagesave, rreth 1 miliardë lekë, i atribuohet kontratës për “Rrugën e Arbrit”, duke përbërë 47.1% të pagesave të asaj periudhe.
Krahasuar me periudhën janar-shtator 2024, pagesat për nëntëmujorin 2025 janë rritur me 289.5 milionë lekë, ose 3.1% më shumë. Kjo rritje kryesisht lidhet me dy kontrata kryesore infrastrukturore:
- Autostrada Milot–Morinë, me pagesa 277.8 milionë lekë më të larta.
- Rruga Porti i Jahteve – By Pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës), me pagesa 171.9 milionë lekë më të larta.
Ministria e Financave sqaron se kjo rritje është në përputhje me skedulin e pagesave të përcaktuara në modelet financiare të këtyre kontratave koncesionare.
Në anën tjetër, për disa kontrata PPP është vërejtur një rënie e pagesave krahasuar me vitin paraprak. Një shembull është projekti për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë, ku pagesat gjatë nëntëmujorit 2025 kanë qenë 347.8 milionë lekë më të ulëta. Kjo ndryshim lidhet me ritmin e zbatimit të planit të pagesave, ndërkohë që shuma e planifikuar për vitin 2025 mbetet e ngjashme me atë të vitit 2024.
Për të gjithë vitin 2025, fondet buxhetore të planifikuara për mbështetjen e kontratave koncesionare dhe PPP-ve arrijnë në 13.93 miliardë lekë. Nga kjo shumë, 8.34 miliardë lekë janë parashikuar për shpenzime korrente dhe 5.59 miliardë lekë për investime. Krahasuar me pagesat faktike të vitit 2024 (13.29 miliardë lekë), plani i vitit 2025 rezulton 4.77% më i lartë, duke u rritur me rreth 634.6 milionë lekë.
