Pagesat me kartë arritën një rekord të ri në vitin 2025, duke kaluar për herë të parë tërheqjet cash nga ATM.
Pagesat me kartë bankare shënuan një rritje të fortë edhe vitin e kaluar, duke arritur numrin dhe vlerën më të lartë historike. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2025, pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në 27.2 milionë, duke u rritur me 38.7% krahasuar me një vit më parë.
Në aspektin e vlerës së transaksioneve, pagesat me kartë vitin e kaluar shkuan në 105.75 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 27% krahasuar me vitin 2024. Për vitin 2025, volumi i pagesave në terminalet POS përbënte 17.5% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 16% që ishte pesha e këtyre veprimeve një vit më parë.
Gjithashtu, vitin e kaluar, për herë të parë, numri i pagesave me kartë në terminale POS kaloi numrin e tërheqjeve cash të parave në bankomatë. Ky zhvillim është një tregues domethënës i rritjes së përdorimit të pagesave jo cash në ekonominë shqiptare.
Pagesat me kartë në vitet e fundit janë nxitur veçanërisht nga shtimi i numrit të turistëve të huaj. Kërkesa e tyre për të paguar me kartë ka inkurajuar një numër më të madh biznesesh të pranojnë këto lloje pagesash, duke krijuar njëkohësisht mundësi për rritjen e aksesit dhe kulturës së pagesave jo cash edhe për një pjesë më të konsiderueshme të publikut vendas.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në fund të vitit të kaluar arriti shifrën rekord prej 31,263 njësish, duke u rritur me 27.7% krahasuar me një vit më parë. Krahas kërkesës më të lartë nga tregu, shtimi i numrit të terminaleve POS është nxitur edhe nga programi promovues i ndërmarrë nga Mastercard, një nga operatorët globalë më të mëdhenj të pagesave me kartë. Ky program, nëpërmjet bankave tregtare, ofroi instalimin e pajisjeve POS pa kosto dhe pa komisione transaksionesh për një periudhë fillestare dhe deri në vlera të caktuara limit.
Ndërkohë, numri i kartave bankare aktive të lëshuara nga sektori bankar shqiptar arriti në 1.65 milionë, duke u rritur me 9.4% krahasuar me një vit më parë. Numri i kartave të debitit arriti në 1.46 milionë, me një rritje vjetore prej 10%. Ky produkt mbetet dominues, duke përbërë rreth 88% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.
Viti 2025 solli rritje edhe në segmentin e kartave të kreditit. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar raportoi pothuajse 120 mijë karta krediti aktive, me një rritje vjetore prej 5.6%.
Qeveria shqiptare ka shpallur si objektiv krijimin e një ekonomie pa para cash brenda vitit 2030, duke synuar zhvendosjen e shumicës së pagesave nga paraja fizike drejt kanaleve dixhitale. Në ligjin për “Procedurat Tatimore”, të amenduar nga Kuvendi i Shqipërisë në fund të vitit 2025, u vendos edhe detyrimi për pajisjen e bizneseve (me disa përjashtime) me terminal POS për pagesa elektronike brenda vitit 2026. Kjo masë pritet të sjellë rritje të mëtejshme të depërtimit të terminaleve POS dhe zgjerim të pagesave me kartë.
