Paketa Fiskale 2026: Kompensim TVSH Bujqësi & Paqe Fiskale

Paketa Fiskale: Qeveria Rikthehet te Kompensimi i TVSH-së në Bujqësi

Brenda paketës fiskale për vitin 2026, parashikohet një rishikim i ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), me synim korrigjimin e skemës së rimbursimit për sektorin e bujqësisë. Ministria e Financave ka propozuar që fermerët të kompensohen me një normë prej 10% të tatimit mbi vlerën e shtuar. Aktualisht, kjo normë është 0%.

Sipas Ministrisë së Financave, kompensimi prej 10% do të transferohet drejtpërdrejt në llogarinë e fermerëve, ndërsa kostoja vjetore e këtij mekanizmi vlerësohet të arrijë në 1.5 miliardë lekë, ose rreth 15 milionë euro.

Pjesë e ndryshimeve tatimore që do të hyjnë në fuqi nga viti 2026 është edhe paketa e njohur si “Paqe Fiskale”. Ministria e Financave ka përcaktuar fshirjen e të gjitha detyrimeve tatimore të papaguara përpara 10 viteve, kundrejt pagesës së një përqindjeje të caktuar. Ky proces ligjor i fshirjes së detyrimeve do të zbatohet gjatë vitit 2026.

Disa javë më parë, Drejtoria e Tatimeve informoi se të paktën 213 mijë tatimpagues me detyrime tatimore të papaguara do të përfitojnë nga kjo masë. Bëhet fjalë për rreth 355 milionë euro detyrime me vjetërsi mbi 10 vjeçare, të cilat praktikisht do të anulohen nëpërmjet kësaj “paqeje fiskale”, duke çliruar bizneset nga statusi i debitorëve.

Përfitues të dytë më të rëndësishëm do të jenë subjektet që kanë borxhe me vjetërsi deri në 5 vjet. Për këto kategori parashikohet fshirja e gjobave dhe kamatave, ndërsa detyrimi kryesor do të duhet të paguhet. Deri në fund të qershorit, borxhi me këtë vjetërsi, përfshirë kamatat e vonesës, arrinte në 62.9 miliardë lekë, ose rreth 630 milionë euro.

Kategoria e tretë përfshin subjektet me borxhe të moshës 5-10 vjeçare. Për këto subjekte, nëse realizojnë pagesën e detyrimit tatimor të papaguar me një këst, do të përfitojnë një zbritje prej 50% për gjobat dhe kamatat. Ata që zgjedhin të paguajnë në këste do të marrin një ulje prej 25%.

Scroll to Top