Pakistani kërcënon me luftë, bisedimet në Stamboll në rrezik

Pakistani kërcënon me “luftë të hapur” Afganistanin nëse dështojnë bisedimet në Stamboll

Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit ka kërcënuar me “luftë të hapur” kundër Afganistanit, në rast se dështojnë bisedimet që po zhvillohen në Stamboll. Kjo deklaratë vjen pak ditë pasi të dyja palët kishin rënë dakord për një armëpushim pas përleshjeve të përgjakshme në kufi. Megjithatë, ai shprehu besimin se Afganistani dëshiron paqe.

Bisedimet në Stamboll, të cilat filluan sot dhe pritet të vazhdojnë edhe nesër, përfaqësojnë përpjekjen më të fundit mes Pakistanit dhe Afganistanit për të shmangur rikthimin e dhunës, pas përplasjeve më të rënda kufitare që prej marrjes së Kabulit nga talebanët në vitin 2021. Qëllimi i takimit është krijimi i një mekanizmi për zbatimin afatgjatë të armëpushimit, të cilit iu vu në jetë në Doha.

Khawaja Muhammad Asif deklaroi se nuk janë regjistruar incidente gjatë katër deri në pesë ditëve që nga nënshkrimi i armëpushimit dhe se të dyja palët po e respektojnë marrëveshjen. “Nëse nuk arrihet një marrëveshje, ne kemi opsionin e luftës së hapur me ta,” tha ai në një deklaratë televizive nga Pakistani. “Por unë pashë se ata duan paqe.”

Përleshjet shpërthyen në fillim të këtij muaji, kur Pakistani kërkoi nga talebanët të godasin grupet islamiste, të cilat, sipas tij, sulmojnë Pakistanin nga strehimet e tyre në territorin afgan. Pakistani u përgjigj me sulme ajrore përtej kufirit, ndërsa të dyja palët shkëmbyen zjarr të rëndë, duke lënë dhjetëra të vrarë dhe duke shkaktuar mbylljen e disa pikave kryesore kufitare, të cilat mbeten të mbyllura edhe tani.

Islamabadi akuzon Kabulin se strehon luftëtarë që synojnë forcat pakistaneze, ndërsa talebanët e mohojnë këtë, duke thënë se operacionet ushtarake të Pakistanit shkelin sovranitetin e Afganistanit.

Scroll to Top