Pakti Shqipëri-Itali për emigrantët: Meloni dhe Rama sfidojnë pengesat

Pakti për emigrantët: Meloni deklaron: “U përpoqën të na pengonin, por ecim para!”

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, komentoi marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët. Ajo theksoi se shumë përpjekje u bënë për të penguar këtë marrëveshje, por Italia do të vazhdojë përpara.

“Sa i përket sigurisë, fokusi ynë, si edhe në marrëveshjet e rëndësishme që do të forcojnë luftën kundër trafikut të drogës, është një pikë kyçe. Kjo përfshin edhe një vizion të përbashkët përballë fenomenit të migracionit, siç është protokolli ynë me Shqipërinë, për të cilin do të doja edhe një herë të falënderoja Ramën dhe gjithë popullin shqiptar,” – tha Meloni.

“Ajo që u demonstrua me nënshkrimin e këtij protokolli është fakti që Shqipëria sillet si një vend anëtar i BE. Unë kam gjykuar dhe vazhdoj të gjykoj se ky protokoll është nënshkruar me një frymë thellësisht evropiane, sepse thekson se emigrimi është një fenomen mbarëevropian. Është një protokoll novator që ka ngjallur interesin e shumë vendeve të tjera. Sigurisht, jo të gjithë arritën ta kuptojnë vlefshmërinë e këtij modeli; shumë ishin ata që punuan fort për ta frenuar apo bllokuar atë, por ne jemi të vendosur të vazhdojmë para, sepse mendojmë se ka potencial,” – shtoi ajo.

Nga ana e tij, kryeministri Rama theksoi se nuk është penduar aspak që ka pranuar marrëveshjen për emigrantët me Italinë.

“Sa i përket pyetjes suaj nëse jam penduar – nëse ju, që për dy vite me radhë bëni të njëjtën pyetje, nuk jeni penduar, si mund të jem unë? Unë kam bërë 100 gjëra të tjera me Kryeministren tuaj. Këtë e kam thënë që në fillim: me Italinë, unë do të vazhdoj ta bëj këtë bashkëpunim 100 herë, edhe pse 100 herë të tjera do të vazhdoni të jeni kundër – dhe me vendet e tjera jo. Italia mund t’i kërkojë Shqipërisë çfarëdo që i vjen ndër mend,” – tha Rama.

Scroll to Top