Palestinezët në Afrikën e Jugut: Hetim për mbërritjen misterioze

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, ka njoftuar se vendi do të nisë hetime për rrethanat e mbërritjes së 153 palestinezëve në aeroportin e Johanesburgut me një fluturim nga Nairobi.

Të 153 personat, burra, gra dhe fëmijë, qëndruan brenda avionit për më shumë se 12 orë, nën mbikëqyrjen e policisë kufitare, pasi pasaportat e tyre nuk mbanin vulën e daljes nga Izraeli.

Ministria e Brendshme miratoi përfundimisht hyrjen e tyre në Afrikën e Jugut mbrëmjen e djeshme, pasi mori garanci nga organizata joqeveritare vendase “Gift of the Givers” se do të kujdesej për strehimin dhe mbështetjen e tyre.

“Bëhet fjalë për banorë të Gazës të cilët, në mënyrë mjaft misterioze, hipën në një avion që bëri ndalesë në Nairobi dhe më pas ulën këtu,” deklaroi sot presidenti i Afrikës së Jugut. Ai shtoi se Pretoria i mirëpriti ata me dhembshuri dhe se do të hetojë në detaje itinerarin e këtij fluturimi.

Nga 153 palestinezët që mbërritën të enjten, 130 hynë në vend me viza të përkohshme 90-ditore, ndërsa 23 të tjerë zgjodhën fluturime lidhëse drejt destinacioneve të tyre.

Imtiaz Sooliman, themelues i “Gift of the Givers”, deklaroi se nuk e dinte kush e kishte charter-uar avionin. Ai gjithashtu zbuloi se më 28 tetor një avion tjetër kishte sjellë 176 palestinezë në Johanesburg në rrethana të ngjashme, disa prej të cilëve janë larguar që atëherë drejt vendeve të treta.

Sipas ambasadës palestineze në Afrikën e Jugut, udhëtimet e të dyja grupeve “janë organizuar nga një organizatë e paregjistruar dhe e dyshimtë, e cila shfrytëzoi gjendjen tragjike humanitare të popullit tonë në Gazë, mashtroi familje, mblodhi para prej tyre dhe lehtësoi udhëtimin në mënyrë të parregullt dhe të papërgjegjshme”.

Scroll to Top