“`html
Afera Epstein/ Mbreti Charles: Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me policinë
Pallati Buckingham është i gatshëm të ndihmojë policinë britanike, nëse kërkohet, të hetojë lidhjet e ish-Princit Andrew me financierin amerikan të dënuar për krime seksuale, tha sot një zëdhënës i familjes mbretërore.
Sipas një deklarate zyrtare nga Pallati Mbretëror, Mbreti Charles është thellësisht i shqetësuar nga akuzat që vazhdojnë të dalin në lidhje me sjelljen e vëllait të tij më të vogël.
“I takon Andrew Mountbatten-Windsor t’i përgjigjet akuzave specifike, por nëse na afrohet Policia e Thames Valley, ne jemi të gatshëm t’i mbështesim ata,” shtoi zëdhënësi.
Mediat shkruajnë se policia britanike ka konfirmuar se po shqyrtonte informacione se në vitin 2010, kur ai ishte i dërguar i posaçëm për tregtinë, Andrew dyshohet se i dha Jeffrey Epstein raporte të klasifikuara. Ndërkohë, pretendimet shtojnë se amerikanoi dërgoi një grua në rezidencën e princit të atëhershëm.
Vëllai i mbretit përdor mbiemrin Mountbatten-Windsor pasi Charles ia hoqi titullin e princit në fund të vitit të kaluar, pas zbulimeve në lidhje me lidhjet e tij me Epstein.
“`
