Shqiptari Pano Ruçi është rikthyer për të protestuar në qendër të Athinës.
Pano Ruçi u gjend sërish në Sheshin Syntagma, përballë monumentit të “Ushtarit të Panjohur”. Më herët, ai zhvilloi një grevë urie 23-ditore në të njëjtin vend, duke kërkuar zhvarrosjen e eshtrave të djalit të tij 22-vjeçar, Denisit, i cili humbi jetën në aksidentin hekurudhor të Tempi në shkurt 2023. Ai e ndërpreu grevën pasi mori garanci për përmbushjen e kërkesave, por ka vendosur të kthehet në shesh.
Sipas gazetës greke “Ta Nea”, shkak për kthimin e tij është miratimi i një ligji shumë të diskutuar në parlamentin grek, i cili ndalon zhvillimin e tubimeve dhe protestave pranë monumentit të “Ushtarit të Panjohur”. Miratimi i këtij ligji shkaktoi debate edhe brenda qeverisë së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, pasi ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Nikos Dendias, kishte rezerva. Ai nuk ishte dakord që mbrojtja e monumentit t’i hiqej Gardës Kombëtare dhe t’i kalonte policisë. Edhe partitë e opozitës e konsideruan këtë lëvizje të Mitsotakis si një përpjekje për të kufizuar lirinë e tubimeve në qendër të Athinës.
Ruçi është kthyer në shesh edhe për një arsye tjetër. Në muret e monumentit të “Ushtarit të Panjohur” janë shkruar nga protestuesit emrat e 57 viktimave të aksidentit të Tempi, përfshirë djalin e tij. Është raportuar se, sipas ligjit të miratuar, këta emra mund të fshihen. Duke folur për median, Ruçi theksoi se Monumenti i “Ushtarit të Panjohur” është “një simbol i kujtesës dhe nderit për ata që u humbën padrejtësisht”.
“Fëmijët e Tempi i përkasin kësaj kujtese dhe nuk e fyejnë atë, ata e nderojnë atë,” deklaroi ai, duke shtuar se “në vend që të fshihen emrat e tyre, duhet të sigurohet që të mos ketë më emra të tillë.”
Ruçi shprehu shqetësimin e tij se “do të ketë një përpjekje për të fshirë emrat” dhe për këtë arsye ai ka vendosur të jetë çdo ditë në Sheshin Syntagma, në vendin ku emri i djalit të tij është shkruar me të kuqe. Ai u bëri thirrje qytetarëve grekë, të cilët e mbështetën gjatë grevës 23-ditore, që të qëndrojnë sërish pranë tij.
“Ua kemi borxh fëmijëve që humbëm, ia kemi borxh vetes, sepse ajo që po bëjnë është një akt hakmarrjeje dhe nuk do të kalojë,” përfundoi Ruçi.
