Mër. Dhj 19th, 2018

Papa Francesku pret në Vatikan një grup pelegrinësh shqiptarë

Në Vatikan Papa Françesku priti një grup pelegrinësh shqiptarë nga besime të ndryshme. Në fjalën e mbajtur përpara pelegrinëve, Papa përshëndeti të gjithë shqiptarët “në emër të lidhjes së lashtë të miqësisë dhe të marrëdhënieve” me Selinë e Shenjtë.

Përfaqësues nga pelegrinët u njoftuan mediave se grupi i shqiptarëve ndodhet në Romë për një vizitë të planifikuar qysh më parë, me rastin e përkujtimit të 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Sipas Vatican News, Papa vuri në dukje “historinë e lashtë dhe të lavdishme” të Shqipërisë, duke theksuar se vendi është një pjesë e pandarë e Evropës, me kulturën e tij të veçantë. “Sot, – tha ai, – ne përkujtojmë Gjergj Kastrioti Skënderbeun, një bir heroik i një populli të fortë dhe bujar, i cili mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë”.

Skënderbeu, vazhdoi ai, “farkëtoi identitetin kulturor shqiptar me veprat e tij, duke u bërë një simbol i padiskutueshëm i afrimit dhe bashkimit kombëtar”. Sipas Vatican News, Papa tha se shpresonte që “ky përvjetor nuk do të kufizohej vetëm me kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara”, por do të ishte gjithashtu një mundësi e mirë për një angazhim të ri të të gjitha institucioneve dhe qytetarëve, në favor të një zhvillimi autentik dhe të balancuar, “në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të emigrojnë.

“Papa Françesku tha se shembulli i Skënderbeut, “shprehu në mënyrë të lavdërueshme karakterin shqiptar”. Në veçanti, ai vuri në dukje “klimën e respektit dhe besimit të ndërsjellë” ndërmjet katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve shqiptarë. Dhe kjo per Papen tregon se bashkëjetesa paqësore e qytetarëve që u përkasin feve të ndryshme, është një rrugë e zbatueshme që prodhon harmoni dhe çliron forcat më të mira dhe krijimtarinë e një populli të tërë, duke transformuar bashkëjetesën e thjeshtë në bashkëpunim dhe vëllazëri të vërtetë”.

InfoPasqyra/tch

Kategori