“`html
Paqja Fiskale: Aplikimet për Rinovimin e Marrëveshjes për vitin 2027 Pritet të Zgjasin 1 Muaj
Bizneset që synojnë të rinovojnë marrëveshjen e Paqes Fiskale për vitin 2027 do të kenë më shumë kohë në dispozicion për aplikimet, pasi afati i procedurës pritet të zgjerohet.
Afati i zbatimit të marrëveshjes është 1 vjeçar, por mund të rinovohet deri në dy herë, ndërkohë që edhe afati i zbatimit pas rinovimit zgjat gjithashtu një vit.
Burime nga administrata tatimore bëjnë të ditur se, ndryshe nga viti i parë i zbatimit, kur aplikimet u kufizuan në rreth 20 ditë, vitin e ardhshëm periudha e aplikimit pritet të zgjasë deri në rreth një muaj.
Në vitin e parë të zbatimit të ligjit “Për marrëveshjen e Paqes Fiskale”, aplikimet nisën më 15 maj dhe përfunduan më 5 qershor 2026, duke ofruar një afat të shkurtër për bizneset që të përfshiheshin në skemë.
Sipas burimeve, për vitin e dytë të zbatimit të marrëveshjes, në vitin 2027, aplikimet parashikohet të hapen më 15 maj dhe të përfundojnë më 15 qershor, duke krijuar një periudhë rreth 30-ditore për dorëzimin e kërkesave.
Në kuadër të marrëveshjes, bizneset përfitojnë gjithashtu të drejtën për të korrigjuar pasqyrat financiare të tre viteve të mëparshme, ndërsa rivlerësimi aplikohet vetëm në vitin e parë të marrëveshjes.
Ekspertët kërkuan më parë shtyrjen e afatit për aplikimet e marrëveshjes së Paqes Fiskale, duke theksuar se afatet e kufizuara të zbatimit mund të krijojnë vështirësi në implementimin e procesit.
Ndërkohë, përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në një takim me bizneset, sqaruan se çdo zgjatje e mëtejshme e afateve do të ndikonte në shkurtimin e periudhës minimale 1-vjeçare të zbatimit të marrëveshjes për tatimpaguesit.
Megjithatë, nga të dhënat paraprake mësohet se interesi i bizneseve ka qenë i ulët për lidhjen e marrëveshjes së Paqes Fiskale.
Ligji parashikon që në marrëveshjen e Paqes Fiskale mund të përfshihen bizneset me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë në vit, ndërsa përjashtohen subjektet ndaj të cilave është hapur procedim penal për evazion fiskal ose mashtrim tatimor.
Në këtë marrëveshje, me afat 1-vjeçar (me të drejta rinovimi deri në 2 herë), biznesit me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë në vit do t’i llogaritet parapagimi i tatimit mbi një bazë të tatueshme të rritur.
Kjo do të thotë se biznesi nuk do të parapaguajë një tatim të çfarëdoshëm, por një tatim që do të llogaritet mbi bazën e tatueshme, e përbërë nga fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm, plus një rritje prej 18%.
Nëse fitimi i vërtetë në fund të vitit tejkalon këtë kufi (duke llogaritur fitimin e vitit të mëparshëm plus një marzh shtesë prej 18%), mbi këtë shtesë do të paguhet 5%.
Në thelb, marrëveshja nuk e ndryshon normën e tatimfitimit, e cila është 23% për bizneset me të ardhura neto mbi 14 milionë lekë, por rrit bazën e tatueshme, pasi tatimi do të llogaritet mbi fitimin e vitit të kaluar plus një marzhi shtesë prej 18%.
Vetëm për fitimin që tejkalon këtë nivel të vlerësuar, paguhet një tatim shtesë 5%.
Në këmbim, bizneset do të përfitojnë moskryerje të kontrolleve tatimore për periudhën e zbatimit të marrëveshjes.
Përveç parapagimit të tatimit kundrejt moskontrollit tatimor për 1 vit, bizneset e mëdha që do të lidhin Marrëveshjen e Paqes Fiskale me administratën tatimore gjithashtu do të kenë mundësinë të rideklarojnë pasqyrat financiare të tre viteve të fundit, kundrejt një tatimi prej 5%.
Ky tatim 5% do të aplikohet për ndryshime të tilla si:
- Rivlerësimi i gjendjes së parasë cash.
- Fshirja e aktiveve apo detyrimeve fiktive.
- Deklarimi i pasurive të patreguara më parë.
- Rideklarimi i fitimeve të mbartura dhe shpërndarja e tyre si dividend.
Për të gjitha këto raste nuk do të ketë gjoba, interesa apo kamatëvonesa, me kusht që tatimpaguesi të deklarojë paraprakisht se do të përfitojë nga marrëveshja.
“`
