“Paqja Fiskale”: BIRN thotë se mazhoranca injoroi shqetësimet për pastrimin e parave
Kuvendi miratoi të enjten mbrëma Buxhetin për vitin 2026 dhe Paketën Fiskale që e shoqëronte atë. Paketa përfshin dy nisma kryesore: një për faljen dhe shuarjen e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave, dhe një “Marrëveshje të paqes fiskale”, e cila ofron amnisti për fitimet e padeklaruara të subjekteve tregtare.
Nisma e “Paqes Fiskale” lejon bizneset të deklarojnë fitimet e mbajtura jashtë bilanceve financiare, kundrejt një tatimi që varion nga 5 deri në 15 për qind. Këto propozime u kundërshtuan gjerësisht nga opozita, Komisioni Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, të cilët i konsideruan ato si një rikthim tek ideja e vjetër e ‘amnistisë fiskale’, një iniciativë e refuzuar më parë nga Bashkimi Europian.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka shprehur shqetësime serioze lidhur me propozimin e qeverisë shqiptare për “Paqen Fiskale”. Në një komunikim për mediat, Delegacioni theksoi nevojën për masa mbrojtëse kundër pastrimit të parave dhe uljen e përjashtimeve tatimore. Ata bënë të ditur se gjatë një takimi me qeverinë shqiptare në vjeshtë, Komisioni Europian kishte ngritur shqetësime serioze rreth dekurajimit të pajtueshmërisë tatimore dhe kishte përsëritur nevojën për vendosjen e masave mbrojtëse të forta kundër pastrimit të parave, duke theksuar gjithashtu angazhimin për uljen e numrit të madh të përjashtimeve tatimore.
Edhe drejtuesja e FMN-së, Anke Weber, shprehu shqetësimin se disa elementë të propozimit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë rreziqe për përmbushjen dhe drejtësinë fiskale.
Mazhoranca refuzoi dhjetra amendamente të propozuara nga deputetë të opozitës, si dhe nga deputeti socialist Erion Braçe, duke miratuar variantin e ardhur nga qeveria. Amendamentet kërkonin kryesisht përfshirjen e mekanizmave të transparencës për përfituesit e faljes dhe shuarjes së detyrimeve, hetimin e burimit të parave që do të rideklaroheshin, dhe përjashtimin nga falja të kompanive që përfitojnë kontrata koncesionare.
Duke kundërshtuar nismën, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi në Kuvend se “paqja fiskale është një kanal zyrtar për pastrimin e parave” dhe se “BE nuk e mbështet”.
Më tej, mazhoranca, me propozim të kryetarit të grupit, Taulant Balla, rrëzoi një ndryshim të miratuar nga Komisioni i Ekonomisë si propozim i deputetit Braçe, i cili parashikonte që kompanitë përfituese nga paqja fiskale të deklaronin burimin e parave dhe pronarin përfitues. Braçe mbrojti propozimet e tij si një filtër kundër evazionit fiskal.
Partia Socialiste rrëzoi gjithashtu propozimet e deputetit demokrat Enno Bozdo, të cilat kërkonin publikimin e listës së përfituesve nga falja e detyrimeve, si dhe përjashtimin nga falja të kompanive në pronësi të individëve që nëpërmjet kompanive të tjera në pronësi të tyre, kanë përfituar fonde publike.
Edhe propozimet e deputetëve të partisë “Mundësia”, Agron Shehaj dhe Erald Kapri, të cilët kërkonin përjashtimin e subjekteve të përfshira në hetime apo të dënuar për vepra penale si krim i organizuar apo narkotrafik, nuk u pranuan.
Me debate u shoqërua edhe projektligji tjetër “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe të detyrimeve të pagueshme në doganë”. Ky projektligj parashikon fshirjen e plotë të detyrimeve për ato borxhe që kanë mbi 10 vite të papaguara. Për detyrimet nga periudha 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë shuarje të pjeshme nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, ose 75% të detyrimit deri më 31 dhjetor 2026 me këste mujore, ndërkohë që 25% e mbetur fshihet automatikisht. Gjobat dhe kamatvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht për të gjitha kategoritë.
Sipas bilancit të qeverisë, rezulton se ka 202,387 tatimpagues debitorë me detyrime tatimore të papaguara në shumën 162 miliardë lekë. Megjithatë, sqarohet se në falje nuk do të përfshihen detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Ndërkohë, Buxheti për vitin 2026 u miratua me disa ndryshime në zërat e shpenzimeve, sipas propozimeve të komisioneve parlamentare përkatëse, pas shqyrtimit dhe dëgjesave me institucionet e pavarura. Megjithatë, edhe për ligjin e Buxhetit, amendamentet e opozitës nuk u pranuan.
Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi, deklaroi se këto amendamente cënonin parametrat fiskalë, pasi rrisnin shpenzimet me 278.9 miliardë lekë.
