Autoritetet holandeze paralajmërojnë votuesit për zgjedhjet parlamentare të 29 tetorit: Mos merrni rekomandime nga ChatGPT
Autoritetet holandeze kanë lëshuar një paralajmërim për votuesit në lidhje me zgjedhjet parlamentare të planifikuara për datën 29 tetor, duke u këshilluar të mos mbështeten në rekomandimet e ofruara nga ChatGPT.
Autoriteti për Mbrojtjen e të Dhënave të Holandës (AP) ka publikuar një raport ku thekson se katër mjete chatbot të testuara nga ata kanë treguar një tendencë të vazhdueshme për të rekomanduar dy parti politike. Këto parti janë një parti e ekstremit të djathtë (PVV) dhe një parti e majtë (GroenLinks-PvdA), pavarësisht natyrës së pyetjeve të bëra.
Sipas raportit, në më shumë se gjysmën e rasteve, chatbot-i sugjeronte një nga këto dy parti, edhe kur informacioni përputhej më mirë me programet e partive të tjera. Parti si CDA (e qendrës së djathtë) përmendeshin shumë rrallë, madje edhe kur pyetjet lidheshin drejtpërdrejt me politikat e tyre.
Zëvendësdrejtoresha e AP, Monique Verdier, deklaroi se edhe pse chatbot-et duken si mjete inteligjente, ato nuk arrijnë të ofrojnë ndihmë të besueshme për çështjet e votimit. Ajo shtoi se “Votuesit mund të shtyhen të mbështesin një parti që nuk përputhet realisht me bindjet e tyre politike. Kjo është një goditje për integritetin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.”
AP sqaroi gjithashtu se chatbot-et nuk janë domosdoshmërisht të njëanshme me qëllim, por problemet lindin nga mënyra teknike se si funksionojnë sistemet e inteligjencës artificiale.
