Situata potencialisht të rrezikshme: Aviacioni civil amerikan paralajmëron për operacione ushtarake mbi Meksikë
Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA) ka lëshuar një seri paralajmërimesh për linjat ajrore dhe pilotët që operojnë mbi hapësirën ajrore të Meksikës, Amerikës Qendrore, Kolumbisë, Ekuadorit dhe pjesëve të Amerikës së Jugut. Paralajmërimet kërkojnë kujdes të shtuar për shkak të “aktiviteteve ushtarake” dhe rrezikut të ndërprerjeve të sistemeve të navigimit satelitor.
Paralajmërimet, të njohura si Notices to Airmen (NOTAM), kanë hyrë në fuqi më 16 janar dhe do të jenë në efekt për 60 ditë. FAA ka theksuar se këto njoftime janë të vlefshme për hapësira ajrore specifike mbi Meksikë, zonat e Panamasë, Bogotës, Guayaquil-it dhe rajonet e Oqeanit Paqësor lindor. Ato vënë në dukje se rreziqet mund të ndikojnë avionët në çdo lartësi gjatë fluturimit, mbërritjes apo nisjes.
Agjencia e ka përshkruar situatën si “potencialisht të rrezikshme” për operacionet civile ajrore. Këto paralajmërime vijnë në një periudhë tensionesh në rajon, pas rritjes së aktivitetit ushtarak të SHBA-së në Karaibe dhe rreth Venezuelës. Ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar mundësinë e veprimeve ushtarake edhe kundër trafikut të drogës në Meksikë dhe vende të tjera.
Sipas zyrtarëve, qëllimi i paralajmërimit është të sigurohet që linjat ajrore të jenë të vetëdijshme për situatën në zhvillim dhe të marrin masat paraprake të nevojshme për sigurinë e udhëtarëve dhe ekuipazheve.
