Lavrov paralajmëron: Nuk do kursejmë askënd që guxon të na sulmojë në Ditën e Fitores
Sergei Lavrov ka lëshuar një paralajmërim të fortë, duke deklaruar se Rusia nuk do të tregojë mëshirë ndaj vendeve që do të guxojnë të kryejnë sulme gjatë ceremonisë së “Ditës së Fitores”. Ministri i Jashtëm rus e cilësoi këtë datë si një festë të shenjtë për rusët dhe akuzoi Perëndimin se po mbështet regjimin nazist në Kiev.
Gjatë një ceremonie vendosjeje kurorash në Ministrinë e Jashtme ruse, Lavrov shtoi se Rusia do të eliminojë çdo kërcënim sigurie që vjen nga territori ukrainas.
“Dua të them me ndershmëri dhe përgjegjësi absolute: nëse ndodh ajo që nazistët e rilindur, të mbështetur nga Perëndimi, po planifikojnë përmes Ukrainës, nuk do të ketë asnjë butësi për ta,” theksoi Lavrov, duke iu referuar mbështetjes së vendeve perëndimore për qeverinë e Kievit.
