Alarmi për përmbytje: 4 qarqe në rrezik më të lartë
Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar se ditët 17–18 nëntor 2025 do të shoqërohen me reshje të dendura shiu në pjesën më të madhe të vendit, duke rritur rrezikun e përmbytjeve dhe problemeve në zonat urbane.
Sipas parashikimit:
- Shkodra, Kukësi, Vlora dhe Gjirokastra do të përballen me reshje intensive deri shumë intensive.
- Në Lezhë priten reshje intensive.
- Intensitet mesatar deri në intensiv është parashikuar për qarqet Dibër, Durrës dhe Tiranë.
Shtrëngatat e shpeshta mund të shkaktojnë vërshime të menjëhershme, rrëshqitje dherash si dhe përmbytje të lokalizuara në zonat urbane.
IGJEUM njofton se prurjet në lumenjtë kryesorë – Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Vjosë – pritet të rriten ndjeshëm në ditët e ardhshme.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kanë kërkuar bashkive të marrin masa të menjëhershme parandaluese, duke përfshirë:
- Njoftimin e komuniteteve dhe bizneseve të ekspozuara ndaj rrezikut.
- Kontrollin dhe pastrimin e kanalizimeve dhe pusetave.
- Vënien në gatishmëri të hidrovoreve dhe sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve.
- Monitorim të vazhdueshëm të niveleve të ujit dhe, nëse kërkohet, evakuim preventiv.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikuara dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare. Ministria e Mbrojtjes dhe AKMC theksojnë se mbeten në gatishmëri të plotë për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve në çdo moment.
