Paralajmërim: Polonia në fazë para-luftës, Rusia përgatitet

Paralajmërim Dramatik nga Shefi i Mbrojtjes në Poloni: Jemi në Faze Paraluftës, Armiku Po Përgatitet

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura polake, gjenerali Wieslaw Kukuła, ka lëshuar një paralajmërim të fortë, duke theksuar se Polonia ndodhet në një “gjendje praktikisht para-luftës”.

Duke iu referuar kërcënimeve në rritje dhe akteve të fundit të sabotazhit në rrjetin hekurudhor, gjenerali Kukuła u shpreh se shërbimet e inteligjencës po vërejnë përpjekje sistematike për të dëmtuar besimin e qytetarëve te qeveria, ushtria, policia dhe institucionet shtetërore. Qëllimi i këtyre përpjekjeve, sipas tij, është krijimi i kushteve ideale për një agresion të mundshëm në territorin polak.

Kukuła e krahasoi situatën aktuale me pragun e vitit 1939 dhe nënvizoi se vetëm një reagim i shpejtë dhe vendimtar nga Polonia dhe aleatët e saj në NATO mund të parandalojë çdo sulm.

“Çdo agresion ndaj një vendi të NATO-s duhet të ketë një kosto aq të lartë sa të bëhet vetëvrasës për agresorin,” deklaroi ai, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së përbashkët dhe të pathyeshme.

Sipas gjeneralit, Rusia tashmë po përgatit terrenin për një veprim të mundshëm agresiv. “Armiku ka filluar të përgatitet për luftë. Po punon për të dobësuar besimin e shoqërisë te qeveria, forcat e armatosura dhe policia, dhe njëkohësisht po krijon kushtet për një sulm të mundshëm në tokën tonë,” përfundoi Kukuła.

Scroll to Top