Shoqata e Bankave Paralajmëron për Rrezikun e Telefonatave Mashtruese nga Interneti
Shoqata Shqiptare e Bankave ka lëshuar një paralajmërim për klientët e sektorit bankar, lidhur me një seri rastesh të fundit të telefonatave mashtruese të kryera nëpërmjet teknologjisë VOIP (telefonata përmes internetit).
Sipas njoftimit të Shoqatës, në ditët e fundit janë raportuar telefonata që vijnë nga adresa me prapashtesa të zakonshme si “@gmail” ose platforma të tjera online, ku pretendohet përdorimi i emrit të një banke. Gjatë këtyre telefonatave, në ekranin e pritësit mund të shfaqet emri ose logoja e bankës, duke krijuar iluzionin se telefonata vjen nga institucioni financiar, ndërkohë që në fakt bëhet fjalë për një përpjekje mashtrimi.
Këto lloj telefonatash kryhen përmes internetit dhe identiteti i vërtetë i personave që telefonojnë nuk mund të verifikohet duke u bazuar vetëm në adresat e përmendura (p.sh. @gmail, @instagram apo platforma të tjera).
Gjatë këtyre bisedave, individët që telefonojnë mund të komunikojnë në gjuhë të ndryshme dhe të kërkojnë të dhëna rreth kartës bankare ose informacione personale të tjera, duke u justifikuar me nevojën për të ndaluar veprime të dyshuara të kryera me kartën tuaj.
Shoqata Shqiptare e Bankave u rikujton klientëve se bankat në Shqipëri nuk kërkojnë kurrë përmes telefonit të dhëna të kartës bankare, PIN-in, kodet e sigurisë apo informacione të tjera konfidenciale.
Klientët këshillohen që, në rast se marrin një telefonatë të dyshimtë:
- Të mos ndajnë asnjë informacion personal.
- Të ndërpresin menjëherë telefonatën.
Çdo komunikim duhet të verifikohet duke kontaktuar bankën vetëm nëpërmjet numrave zyrtarë të publikuar prej saj.
Duke kërkuar raportimin e menjëhershëm të çdo rasti të dyshimtë pranë bankës përkatëse, Shoqata Shqiptare e Bankave dhe bankat anëtare konfirmojnë angazhimin e tyre për rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbrojtjen e klientëve nga përpjekjet për mashtrim financiar.
