Hën. Gus 20th, 2018

Pastrohet lumi Devoll pas 30 vitesh, evitohen përmbytjet

TIRANË, 10 gusht/ATSH-Maela Marini/ Në një gjatësi prej rreth 1 km në të dyja anët e lumit Devoll në Maliq po ndërhyhet për pastrimin e inerteve dhe mbeturinave, një ndërhyrje kjo e para pas rreth 30 vitesh, që ndikon në shmangien e përmbytjeve në këtë zonë.

Në një prononcim për ATSH-në, Kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topciu u shpreh se “kjo është një punë që po bëhet nga Bordi Rajonal i Korçës dhe pritet të lehtësojë ndjeshëm situatën nga përmbytjet në stinën e dimrit”.

Por sipas tij, ndërkohë nevojitet një investim kapital për thellimin e lumit në një gjatësi prej 4 km poshtë urës së vjetër, një zonë shkëmbore kjo, për të cilën është çuar propozimi në Ministrinë e Bujqësisë.

Një tjetër ndërhyrje që nevojitet përveç thellimit të lumit, është edhe vendosja e hidrovorit. Të dyja këto investime, sipas Topçiut, do të evitojnë përfundimisht rrezikun e përmbytjeve në këtë zonë.

“Pastrimi në të dy krahët e urës së vjetër të Maliqit ishte një investim i kërkuar prej vitesh nga ana jonë, dhe që ndikon drejpërdrejt në evitimin e përmbytjes së fushës, që ka qenë problem prej vitesh”, tha Topçiu për ATSH-në.

Sipas tij, për 25-30 vjet nuk është bërë asnjë ndërhyrje për pastrimin e lumit.

“Në kohën e dimrit, sasia e ujit që vinte deri aty kthehej mbrapsht për shkak të mbushjes nga inertet dhe mbeturinat dhe sillte përmbytjen e fushës së Maliqit.

Ndërhyrja do të reduktojë rrezikun nga përmbytjet të kësaj fushe, por edhe do të ndikojë në nxitjen e prodhimin bujqësor të zonës. /a.g/

Kategori