Paul Biya betohet për mandatin e tetë, protesta të dhunshme në Kamerun

Presidenti i Kamerunit, në moshën 92-vjeçare, betohet për mandatin e tetë radhazi pas 56 vitesh në pushtet

Presidenti 92-vjeçar i Kamerunit, Paul Biya, është zotuar të rivendosë rendin në vend, i cili është tronditur nga dhuna pas zgjedhjeve, ndërsa u betua për një mandat të tetë radhazi, që do të zgjasë deri në vitin 2032, kur ai do të jetë 99 vjeç.

Sipas rezultateve përfundimtare, Biya fitoi 54% të votave, ndërsa kundërshtari i tij, Issa Chiroma Bakari, mori 35% dhe akuzoi autoritetet për mashtrim zgjedhor.

Shpallja e rezultateve, sipas raportimeve të BBC, ka shkaktuar protesta të përgjakshme në të gjithë vendin. Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut raporton të paktën 14 të vdekur dhe mbi 1,200 të arrestuar, ndërsa organe të tjera raportojnë një numër më të lartë viktimash.

Në fjalimin e tij të inaugurimit, presidenti më i vjetër në botë shprehu ngushëllimet për viktimat e protestave dhe fajësoi për trazirat “politikanë të papërgjegjshëm”. Pavarësisht akuzave për mashtrim gjatë zgjedhjeve të tetorit, Biya e përshkroi procesin zgjedhor si “të kënaqshëm” dhe vlerësoi autoritetin zgjedhor.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit në parlamentin e vendit në Yaounde, Biya falënderoi forcat e sigurisë për shtypjen e protestave, por nuk iu referua akuzave për përdorim të tepruar të forcës. Ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me të për të ndërtuar një vend “të bashkuar, të qëndrueshëm dhe të begatë”.

Presidenti 92-vjeçar premtoi të prioritizonte çështjet që prekin gratë dhe të rinjtë, si dhe u zotua të luftojë korrupsionin dhe problemet e sigurisë.

Paul Biya mori pushtetin në nëntor 1982, pas dorëheqjes së Presidentit Ahmadou Ahijo. Kritikët e tij theksojnë se ai e ka qeverisur vendin me grusht të hekurt që atëherë.

Scroll to Top