PD: Alimehmeti flet për riorganizim dhe forcim partie

Lëvizje brenda PD? Ilir Alimehmeti flet për takimin me demokratët

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike (PD), Ervin Salianji, së bashku me Ilir Alimehmetin, një nga kandidatët më të votuar në qarkun e Tiranës, si dhe kandidatë të listave të hapura si Aulon Kalaja, Tedi Kopliku, Xhemal Gjuknshi, Hysen Kadiu e të tjerë, u mblodhën të enjten për të diskutuar një qasje të re në drejtimin dhe organizimin e partisë më të madhe të opozitës.

I ftuar në studion e Top Story në Top Channel, Alimehmeti ka sqaruar diskutimet e zhvilluara gjatë këtij takimi.

“Ishte një tryezë mes demokratësh, me qëllim që të kuptojmë problemet tona dhe të avancojmë kauzat tona. PD-ja ka nevojë të forcohet dhe për këtë, duhet të identifikojmë gabimet dhe të shmangim modelet që nuk kanë funksionuar. Gjatë bisedave me kandidatët në qarqe, na është thënë se nuk janë kontaktuar më dhe janë lënë në harresë. Nuk mendoj se kjo është qasja e duhur. Ajo që vumë re, ishte se pavarësisht vështirësisë për të kuptuar situatën në qarqe të tjera, problematikat kanë qenë të ngjashme në çdo qark. Kandidatët do të duhej të ishin thirrur nga Kryesia apo Këshilli Kombëtar, në mënyrë që të dëgjohej edhe këndvështrimi i tyre”, tha ai.

Alimehmeti theksoi se PD-ja duhet të jetë e sigurt dhe të shkojë drejt zgjedhjeve me sukses. Sipas tij, partia kërkon atë që çdo opozitar dëshiron: që partia të forcohet dhe të riorganizohet për një vizion më të mirë politik.

“Pranverën e ardhshme mbarojnë të gjitha mandatet dhe do të zhvillohen votimet e brendshme. Do të ketë mundësi riorganizimi për PD-në, sepse kush ka vizionin më të mirë politik e di çfarë duhet të bëjë. Ne kërkojmë dhe dëshirojmë atë që do çdo opozitar: që partia të forcohet, të jetë shpresa e fitores në zgjedhjet e ardhshme. Këtë e dëshirojnë opozita dhe shumë shqiptarë, të cilët nuk e votojnë PD-në por janë të lodhur nga qeverisja. Nuk arrihet suksesi me një hap të vetëm, por përmes një zinxhiri përfaqësimesh. Në fund të fundit, ne përfaqësojmë njerëzit që na kanë votuar dhe duhet t’ua përçojmë mesazhin. Metodat aktuale, bazuar në marrëdhënie mes miqsh, nuk optimizojnë situatën. Shqetësimi kryesor mbetet si të shkojmë me sukses drejt zgjedhjeve të ardhshme, të jemi të sigurt dhe pa pikëpyetje. Nuk e konceptoj dot garën politike pa e parë kundërshtarin përballë”, u shpreh Alimehmeti.

Pas mbledhjes, reagoi kreu i grupit parlamentar, Gazmend Bardhi, i cili e cilësoi takimin si “një kafe mes tyre”. Alimehmeti mendon ndryshe:

“Sinqerisht, as unë nuk i komentoj statuset në Facebook, por po të donin të na thërrisnin Këshilli Kombëtar, do të shkoja. Pra, mundësia për të folur nuk ka ekzistuar. Lënia pa diskutim të demokratëve sjell situata si kjo, ku kemi një qeveri e kalbur që nuk hidhet dot poshtë, dhe një opozitë që nuk sjell dot njerëz. Pse arritëm në mbledhjen e kësaj tryeze? Kjo pyetje duhet bërë atyre. Ata nuk e kanë bërë dhe i kanë larguar njerëzit, ne thjesht vazhdojmë punën për të kuptuar ku jemi dhe ku janë problematikat”, tha Alimehmeti.

Ai shtoi se në takim kanë qenë rreth 15 persona, të cilët kanë diskutuar situatën aktuale dhe mendimet e secilit.

Por a është ky takim një nismë apo lëvizje politike brenda PD-së? Alimehmeti e la këtë çështje të hapur, duke thënë se në fillim gjithçka nis me një shtrëngim duarsh dhe se PD-së i duhet një riorganizim nga “koka te këmbët”.

“Në fillim gjithçka nis me një shtrëngim duarsh për të kuptuar ku ndodhemi. Në mungesë të përfaqësimit të demokratëve, ku përballë një qeverie të kalbur, opozita nuk e hedh dot poshtë dhe nuk ndodh ai rotacion politik, parimi ka qenë si mund të forcohet PD-ja. Unë personalisht mendoj se PD-së i duhet një riorganizim nga koka te këmbët. Vetëm në këtë mënyrë mund t’i qasemi një sistemi zgjedhjesh vendore në mënyrë të suksesshme. Vizioni është për vitin 2029, që kalon përmes vitit 2027. Nëse në këta muaj bëjmë disa riorganizime që u flasin njerëzve siç duhet, atëherë situata do të ndryshojë, sepse me qeverisjen aktuale, e cila po bie vetë, është e lehtë për t’u përballur”, tha ai.

Scroll to Top