PD: Alimehmeti kërkon riorganizim për suksese të mëdha

Alimehmeti: Nëse strukturat nuk mblidhen, do të thotë se jemi kthyer në parti memece

Ilir Alimehmeti u pyet në Report Tv nëse do të garonte përballë Sali Berishës për drejtimin e Partisë Demokratike. Ai u shpreh se PD ka mundësi të korrë suksese të mëdha, por kërkon riorganizim të lojtarëve në fushën politike dhe hapjen e garës, pa sqaruar nëse do të kandidojë apo jo në pranverën e ardhshme.

“Ka procese të ndryshme këtu dhe çdo demokrat mund të kandidojë, nuk ka diskutim për këtë. Mirëpo, këto janë hallka procesesh. Flitet edhe në nivel grupi, prandaj këto struktura duhen mbledhur. Në nivel grupi ne flasim për çdo lojtar, për pozicionin e tij në fushë. Pozicionet e drejta, sepse nuk mund të marrësh mesfushorin ta fusësh në portë, portierin ta çosh në sulm dhe të pretendosh që skuadra të luftojë.

Me një riorganizim të lojtarëve në fushën politike, PD ka mundësi të korrë suksese të mëdha, por është e nevojshme t’i vendosë lojtarët në pozicionet e duhura dhe të mos mohojë vlerat e tyre. Jo të themi që ky mesfushor nuk vlen si mesfushor dhe ta çojmë në portë.

Këtë po kërkojmë ne, që strukturat drejtuese të mblidhen me këtë qëllim. E ardhmja është hapja e garave. Nëse strukturat nuk mblidhen aty ku diskutohen këto, do të thotë se jemi kthyer në parti memece”, theksoi ai.

Scroll to Top