Berisha: Analizë brenda PD, por jo gjueti shtrigash
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka nisur sot takimet në bazë për analizën e zgjedhjeve të 11 majit. Në një takim në njësinë 9 në Tiranë, Berisha theksoi se nuk duhet të ketë “gjueti shtrigash”, por një analizë të drejtë për punën e secilit brenda partisë.
“Do të bëjmë një analizë të shkëlqyer. A mundet ne të përdorim situatën, a mundet ne të përdorim faktin e një diktature autoritare për të mos analizuar të gjitha dobësitë, problematikat tona? Në asnjë mënyrë. Ne fillojmë sot një debat, fillojmë sot një analizë me të cilën ne do e nxjerrim shumë më të fortë dhe të fuqishme Partinë Demokratike. Dhe në këtë analizë, jeni të ftuar secili prej jush të japë mendime, të bëjë kritika për cilindo, të bëjë propozime. Kam vetëm dy kërkesa. Jo gjah shtrigash. Ne nuk bëhemi në asnjë rrethanë parti e gjahut të shtrigave, por japim përgjegjësinë me fakte, me argumente secilit. Ku i patëm dobësitë tona, çfarë duhet të përmirësojmë, çfarë duhet të ndryshojmë? Ne nuk duhet të kemi frikë të bëjmë të gjitha sugjerimet, të gjitha propozimet. Të përmirësojmë. Dy momente duhet të ketë secili prej nesh. Hapësirë, hapësirë, hapësirë. Të përpiqemi,” – tha Berisha.
Berisha shtoi se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka dhe se diktaturat nuk ikin me votë.
Ai foli gjithashtu për ata demokratë që pas zgjedhjeve u emëruan drejtorë. “Po pati të tjerë që pas zgjedhjeve u emëruan drejtorë, ata qofshin. Ata nuk punuan për fitoren e PD, ata pritën me çdo kusht grabitjen e mandatit dhe marrjen e postit të drejtorit. Nuk kanë asnjë lidhje me ne. Pati të tjerë që nuk u bënë drejtorë, ama në fushatë nuk punuan. Bënë zgjedhje shumë të gabuar. Dhe ne do ua themi atyre: Ti në momentin e betejës ku ishe? Zgjedhjet janë betejë,” – tha Berisha.
Ai kërkoi analizë edhe në strukturat e PD-së. “Nga ana tjetër do shohim vetë ku kemi mungesa seksionesh, ku kemi mungesa në mënyrë që të bëjmë një verifikim të vetvetes. Kemi një problem ne, që unë e shtroj këtu, do e shtroj kudo. Me të drejtë për garën tonë, garuesit shtrojnë si problem listën. Absolutisht u garantoj se ato lista nuk synon kush të manipulojë me lista, listat kanë pasaktësi sepse njerëzit lëvizin, njerëzit ikin. Prandaj u lutem shumë edhe në debatin tuaj, të diskutojmë si t’i japim përgjigje kësaj, çfarë bëjmë ne për të hequr këtë debat midis nesh. Për të pasur lista më të pranueshme. Do bëjmë një analizë në të gjithë aspektet në mënyrë që të përgatitemi për kohën më të shpejtë të mundshme,” – përfundoi Berisha.
