PD bojkoton seancën e Kuvendit: “e paligjshme”

PD bojkoton seancën e nesërme në Kuvend

Partia Demokratike ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën plenare të nesërme.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, ka deklaruar se opozita do të bojkotojë atë që ai e cilësoi si një seancë “të paligjshme”, pasi është thirrur në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

Sipas Bardhit, seanca është thirrur jashtë ditës normale të zhvillimit të saj, e cila është e enjtja, dhe me një rend dite minimal që përfshin vetëm miratimin e procesverbalit dhe njoftime.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën plenare të ditës së martë, duke e konsideruar atë si:

  • Një seancë të paligjshme.
  • Të thirrur në kundërshtim të hapur me Rregulloren e Kuvendit.
  • Jashtë ditës normale të saj (e enjte).
  • Me rend dite të kufizuar: miratim procesverbali dhe njoftime.

“Kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit,” thuhet në deklaratë.

Më tej, PD vlerëson se “një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk është më parlament, por një dekor për propagandën e qeverisë. Një dyqan personal që nuk i shërben interesit publik.”

Sipas tyre, në vend që Parlamenti të merret me problemet reale të qytetarëve dhe të ushtrojë kontroll mbi qeverinë, ai është kthyer në një instrument antidemokratik në shërbim të Kryeministrit, duke penguar drejtësinë në hetimin e korrupsionit dhe duke u shndërruar në një pengesë serioze për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Për këtë arsye, opozita refuzon të bëhet pjesë e kësaj fasade parlamentare nesër dhe zgjedh të jetë aty ku duhet të jetë çdo opozitë e përgjegjshme: pranë qytetarëve.

“Prioriteti ynë këtë javë mbetet takimi me qytetarët në të gjithë vendin dhe mobilizimi për protestën e 22 marsit. Sepse problemi real i Shqipërisë sot është një qeveri që është kthyer në rrezik kombëtar. Prandaj opozita është e vendosur të qëndrojë me qytetarët dhe të udhëheqë betejën për ndryshim, luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit, si dhe një qeverisje të përgjegjshme në shërbim të qytetarëve,” përfundon deklarata.

Scroll to Top