Resorti në Gjirin e Manastirit, PD: U dëmtua trashëgimia kulturore
Partia Demokratike (PD) ka denoncuar publikisht ndërtimin e një resorti në Gjirin e Manastirit, duke pretenduar se ky zhvillim ka dëmtuar trashëgiminë kulturore.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, theksoi se resorti ngrihet në pjesën e Parkut Kombëtar të Butrintit. Ajo shtoi se ky ndërtim ngre dyshime serioze për ndërhyrje të qëllimshme në procesin shkencor arkeologjik, me qëllim favorizimin e interesave private.
“Ndërtimi i resortit në zonën e Manastirit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ngre dyshime serioze për ndërhyrje të qëllimshme në procesin shkencor arkeologjik, me synim favorizimin e interesave private,” deklaroi Vangjeli.
Sipas saj, ndërtimi i këtij resorti ka transformuar përgjithmonë Gjirin e Manastirit, duke ndarë Detin Jon me Liqenin e Butrintit, dhe ka shkatërruar potencialin arkeologjik të zonës, përfshirë një zbulim të vitit 2010.
Të dhënat e bëra publike nga investigimi i Qendrës ‘Amfora’ tregojnë se kompania zhvilluese, me statusin e investitorit strategjik, nuk ka respektuar monitorimin arkeologjik dhe është gjetur në shkelje nga një vlerësim i UNESCO-ICOMOS. Ndërkohë, autoritetet e kulturës akuzohen se kanë censuruar dokumente dhe kanë ndërruar disa herë alibi.
“Manipulimi i trashëgimisë kulturore për interesa klienteliste dhe ekonomike përbën një nga format më të rënda të abuzimit me pasuritë kombëtare,” u shpreh Vangjeli.
Arkeologia Iris Pojani, e cila në kohën kur Mirela Kumbaro drejtonte Ministrinë e Kulturës, rezulton të ketë hartuar një raport vëzhgimi arkeologjik që i ka hapur rrugë ndërtimit në zonën e Manastirit, pikërisht në një zonë me potencial të lartë arkeologjik.
Sipas investigimit:
- Ky raport nuk përfshin një zbulim të rëndësishëm arkeologjik të vitit 2010, një strukturë rrethore e dyshuar si pjesë e një sistemi mbrojtës të periudhës së Antikitetit të Vonë.
- Nuk janë rekomanduar sondazhe arkeologjike për punimet nëntokësore, edhe pse zona konsiderohet me risk të lartë.
- Punimet në terren kanë vijuar pa monitorim arkeologjik.
Për këto arsye, Partia Demokratike kërkon:
- Hetimin e plotë dhe të pavarur të këtij rasti.
- Verifikimin e integritetit të raportit arkeologjik dhe procedurave të ndjekura.
- Vendosjen e përgjegjësive për çdo shkelje ligjore apo profesionale.
- Garantimin e mbrojtjes reale të pasurive kulturore dhe transparencën e plotë për publikun.
PD nënvizon se “Trashëgimia kulturore nuk mund të trajtohet si mall për t’u negociuar. Ajo është pasuri kombëtare dhe detyrim ndaj brezave që vijnë. Koha për përgjegjësi është tani.”
