“`html
PD: 200 mijë euro për “Delina n’Fest”, paratë shkojnë për bizneset e ministres
Partia Demokratike, përmes zëdhënëses Genta Vangjeli, ka denoncuar ministren e kabinetit Rama, Delina Ibrahimajn, duke e akuzuar atë për përfitime nga fondet publike në dëm të taksapaguesve shqiptarë.
Nga selia blu, Vangjeli ka prezantuar dokumente që, sipas saj, dëshmojnë afera dhe përfitime të dyshimta të bizneseve të lidhura me familjen e ministres Delina Ibrahimaj.
Reagimi i PD:
- Nuk është hera e parë që Partia Demokratike denoncon afera dhe përfitime të dyshimta të bizneseve të lidhura me familjen e ministres Delina Ibrahimaj.
- Që prej vitit 2021, paralelisht me ngritjen e saj në detyrë, është rritur në mënyrë të dyshimtë numri i bizneseve të familjarëve të saj, nga 2 në 7 subjekte të deklaruara. Sipas PD, kjo nuk është rastësi, por një model i qartë përfitimi nga pushteti.
- Partia Demokratike ka denoncuar më parë bizneset dhe hotelin në Qeparo, regjistruar në emër të vjehrrit të saj dhe në administrim të bashkëshortit.
- Sot, PD nxjerr në dritë një tjetër rast: projektin ‘Delina n’Fest’, i cili në dokumente figuron si ‘Vjosa n’Fest’.
- Ky projekt, i zhvilluar në katër edicione dyditore, ka përfituar rreth 200 mijë euro nga fondet publike të Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Turizmit, pra para të qytetarëve shqiptarë.
- Projekti është zbatuar nga shoqata ‘Tirana Ekspres’, një subjekt ku vetë Delina Ibrahimaj ka qenë e punësuar dhe ku bashkëshorti i saj, gjatë periudhës së implementimit të projektit, ka përfituar të ardhura si drejtues.
- Si Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj vijon të mbështesë të njëjtin projekt dhe subjekt, i cili rezulton i publikuar mes projekteve të rishikuara.
Sipas PD, në një vend normal, një skandal i tillë do të kishte sjellë dorëheqje të menjëhershme dhe hetim penal. “Por në Shqipëri, ministrat vazhdojnë të pasurohen në mënyrë të pacipë, ndërsa drejtësia hesht dhe mbyll sytë për vjedhjen e parave të shqiptarëve,” thuhet në deklaratë.
Përballë kësaj situate, PD i bën thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestë ditën e premte, më 17 prill, për të kundërshtuar korrupsionin, abuzimin dhe varfërimin e vendit.
“`
