PD i kërkon Peleshit të shmangë provokimet ndaj opozitës

PD i kërkon Peleshit të shmangë provokimet ndaj opozitës në seancën e së hënës

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, të shmangë provokimet ndaj opozitës në seancën e radhës parlamentare, e cila do të mbahet më 27 tetor.

Letër nga PD drejtuar Kryetarit të Kuvendit:

Zoti Kryetar i Kuvendit,

Me urdhrin tuaj nr. 24, datë 24.10.2025, keni thirrur seancën plenare për datën 27.10.2025, ora 10:00, duke njoftuar edhe rendin e ditës.

Në rendin e ditës, në pikat 5-9 janë përfshirë raportimet e disa institucioneve të pavarura kushtetuese. Sipas dakordësisë së Konferencës së Kryetarëve, është lënë një kohë debati prej 150 minutash për secilin raportim.

Në emër të Grupit Parlamentar të PD, konfirmojmë kërkesën tonë për zhvillimin e debatit dhe gjithashtu për kohën e caktuar prej jush – 150 minuta pas çdo raportimi.

Lutem gjithashtu të shmangni çdo provokim ndaj deputetëve të opozitës, duke lejuar secilin prej tyre të paraqesë pyetjet e tij, për secilin titullar institutionsh, sipas nenit 103, pikës 7 të Rregullores dhe praktikës parlamentare 34-vjeçare.

Çdo ndryshim i njëanshëm nga ana juaj i të drejtave të deputetëve të pakicës, apo interpretimi 34-vjeçar i Rregullores së Kuvendit, është atentat ndaj parlamentarizmit dhe asgjesim i të drejtave të opozitës parlamentare, dhe për pasojë është dhe do të jetë i papranueshëm për deputetët e opozitës.

Për sa më lart, në ushtrim të përgjegjësive tuaja, lutem merrni masa për normalizimin e jetës parlamentare dhe ndaluni menjëherë nga aktet provokative ndaj opozitës dhe sjelljes së saj krejtësisht konstruktive në Kuvendin e Shqipërisë.

Scroll to Top