Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar nga Kuvendi zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me situatën e krijuar në shërbimin onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Kërkesa thekson se raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka nxjerrë në pah gjendjen e rëndë të sistemit shëndetësor, me fokus të veçantë shërbimin onkologjik.
Raporti i KLSH-së mbështet shqetësimet e ngritura vazhdimisht në media dhe denoncimet e pacientëve me kancer përsa i përket:
- Mungesës së barnave.
- Përdorimit të barnave të skaduara.
- Mungesës së kontrolleve laboratorike.
- Vonesave në ofrimin e shërbimit.
Kërkesa zyrtare drejtuar Kuvendit të Shqipërisë është nënshkruar nga deputetët Bardh Spahia, Manjola Luku, Klit Hoti, Tritan Shehu, Erisa Xhixho, Ledina Alolli dhe Eno Bozdo.