PD kërkon interpelancë me Ramën për Ballukun, akuzon mbrojtje të pandehurës

Grupi i PD kërkon interpelancë me Ramën për Ballukun; akuzon kryeministrin se mbron një të pandehur.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama, lidhur me faktin që zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur nga drejtësia.

Në kërkesën e firmosur nga kryetari i grupit, Gazment Bardhi, thuhet se Kryeministri po vepron si “avokat” i Ballukut, duke paraqitur pretendime në emër të Kuvendit të Shqipërisë pa marrë paraprakisht një mandat apo qëndrim nga vetë Kuvendi. Opozita i referohet kërkesës së Ramës në Gjykatën Kushtetuese, të cilën e cilëson si të paprecedentë.

“Një kërkesë e tillë e Kryeministrit të Shqipërisë jo vetëm që është e pabazuar në Kushtetutë, por gjithashtu përbën një ndërhyrje të papërshtatshme në pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe synon cimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend. Në një sjellje normale, në një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, Kryeministri duhej të kishte propozuar menjëherë shkarkimin nga detyra të një ministri që është marrë i pandehur për abuzime në disa procedura prokurimi publik, me vlerë miliona euro, dhe kurrsesi nuk mund të sillet si zyrë avokatie për një të pandehur.”

Grupi Parlamentar i PD-së argumenton gjithashtu se veprimi i Kryeministrit përbën ndërhyrje të hapur në pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe synon të forcojë kulturën e pandëshkueshmërisë. Opozita thekson se, në çdo standard europian, një ministër i marrë i pandehur për abuzime me fonde publike duhet të shkarkohej menjëherë, e jo të mbrohej nga Rama.

“Ai kërkon t’i bëjë presion drejtësisë, me shpresën se do të nxjerrë jashtë binarëve kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese, që ekziston si garanci për kushtetutshmërinë dhe kurrsesi për pandëshkueshmërinë. Është e qartë që kjo lëvizje ka vetëm efekte politike; më saktë është mjet presioni/mesazh politik dhe nuk synon zgjidhje juridike. Ne, deputetët e opozitës, vlerësojmë se kërkesa e Kryeministrit Edi Rama, që synon vetëm të japë mesazhin për organet e drejtësisë se e pandehura Belinda Balluku nuk është si të gjithë të pandehurit e tjerë, por gëzon mbrojtje të posaçme politike/institucionale nga Kryeministri/Këshilli i Ministrave, meriton vetëm përbuzje, si një akt antidemokratik dhe antikushtetues, veçanërisht nga vetë organet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, e cila është përpara sprovës për të mbrojtur të drejtën për hetim të plotë, të pacenueshëm, të gjithanshëm e të papenguar nga organet hetimore.”

KERKESA E GRUPIT TE PD PER RAMEN KUVENDI

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike

Nr. ______ Prot.

Tiranë, më ____/____/2025

K Ë R K E S Ë

Për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama

Baza Ligjore: Neni 80, pika 1 e Kushtetutës dhe neni 97 i Rregullores së Kuvendit

Drejtuar: Z. Niko Peleshi, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë

Z. Kryetar i Kuvendit,

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar regjistrimin e kërkesës nr. 30 (K), datë 21.11.2025, me kërkues “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë”, me objekt:

  1. “Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.
  2. Shfuqizimin e vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GjKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë.
  3. Pezullimin e efekteve të vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.
  4. Interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.”

Sikurse vërehet edhe nga objekti i kësaj kërkese, Kryeministri Edi Rama ka ngritur edhe një pretendim në emër të Kuvendit të Shqipërisë, pa informuar apo pa marrë më parë opinionin e Kuvendit të Shqipërisë. Në vlerësimin tonë, një kërkesë e tillë e Kryeministrit të Shqipërisë, jo thjesht është e pabazuar në Kushtetutë, por gjithashtu përbën një ndërhyrje të papërshtatshme në pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe synon cimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend. Në një sjellje normale, në një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, Kryeministri duhet të kishte propozuar menjëherë shkarkimin nga detyra të një ministri që është marrë i pandehur për abuzime në disa procedura prokurimi publik, me vlerë miliona euro, dhe kurrësesi nuk mund të sillet si zyrë avokatie për një të pandehur.

Kjo është hera e parë në historinë e Shqipërisë, që Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave ndërhyjnë institucionalisht për të kërkuar shfuqizimin dhe pezullimin e një vendimi gjyqësor që cakton masa të sigurimit personal individualisht për një person. Askund, në asnjë vend demokratik, nuk ka ndodhur që Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave të investohen institucionalisht në një rast individual për të goditur një masë sigurimi personal, qoftë kjo me karakter shtrëngues apo ndalues.

Pa asnjë dyshim që vetë e pandehura ka gjithë të drejtën që të ndjekë rrugët ligjore për mbrojtjen e saj, përfshirë ankimin e vendimit gjyqësor për caktimin e masës ndaluese, duke nisur me Gjykatën e Apelit – Gjykatën e Lartë – Gjykatën Kushtetuese. Por nuk ndodh askund që një i pandehur të përdor si avokat, Kryeministrin/Këshillin e Ministrave, për të kërkuar shfuqizimin e një vendimi gjyqësor individual për të, apo të kërkojë përmes tyre pezullimin e efekteve të vendimit gjyqësor. Nëse kjo ndodh, cënohen parimet bazë të shtetit ligjor. Ky është një akt i pastër dhe i paprecedent i mbrojtjes institucionale politike nga drejtësia. Ky është një mesazh i qartë politik i cimentimit të kulturës së pandëshkueshmërisë.

Ky është një akt që provon se Kryeministri Edi Rama, në emër të parimit të “ndarjes së pushteteve”, kërkon të shpallë Këshillin e Ministrave të pavarur nga detyrimi për të zbatuar me korrektësi ligjin. Ai kërkon t’i bëjë presion drejtësisë, me shpresën se do të nxjerrë jashtë binarëve kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese, që ekziston si garanci për kushtetutshmërinë dhe kurrsesi për pandëshkueshmërinë. Është e qartë që kjo lëvizje ka vetëm efekte politike, më saktë është mjet presioni/mesazh politik, dhe nuk synon zgjidhje juridike. Ne deputetët e opozitës vlerësojmë se kërkesa e Kryeministrit Edi Ramës, që synon vetëm të jap mesazhin për organet e drejtësisë se e pandehura Belinda Balluku nuk është si të gjithë të pandehurit e tjerë, por gëzon mbrojtje të posaçme politike/institucionale nga Kryeministri/Këshilli i Ministrave, meriton vetëm përbuzje, si një akt antidemokratik, antikushtetues, veçanërisht nga vetë organet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, që është përpara sprovës për të mbrojtur të drejtën për hetim të plotë, të pacenueshëm, të gjithanshëm, të papenguar, të organeve hetimore.

Ky është një moment i rëndësishëm në jetën institucionale të vendit për të provuar se pushteti gjyqësor nuk varet nga statusi i posaçëm që pushteti ekzekutiv i jep të pandehurve të veçantë, dhe se kushdo është i barabartë përpara ligjit. Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se Kushtetuta e Shqipërisë, legjislacioni shqiptar në fuqi, por edhe praktika ndërkombëtare njeh pezullimin nga detyra të një ministri që hetohet për abuzime me detyrën. Për ilustrim, raste të tilla janë hasur në disa vende të Bashkimit Europian: si në Francë, Itali, Rumani, etj.

Për këtë arsye, me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me sa më lart, në cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në mbështetje të nenit 80, pika 1, të Kushtetutës dhe nenit 97, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë:

“Zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjet e sipërcituara dhe me fokus ndërhyrjen institucionale të Kryeministrit në një çështje në hetim, mbajtja në detyrë e ministrit të një zyrtari të marrë të pandehur për abuzim me disa tendera publikë, si dhe ngritja e pretendimeve në emër të Kuvendit pa e konsultuar paraprakisht.”

Për sa më lart, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, kërkojmë nga Kryetari i Kuvendit që kërkesën për interpelancë urgjente t’ia njoftojë Kryeministrit Edi Rama dhe ta përfshijë atë si pikë të parë të Rendit të Ditës në seancën më të parë plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

G A Z M E N T B A R D H I

__________________________________

K R Y E T A R

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE

Scroll to Top