Partia Demokratike kërkon interpelancë urgjente në Kuvend me Belinda Ballukun
Partia Demokratike kërkon një interpelancë urgjente në Kuvend me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, pas marrjes së saj si e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Në shkresën e nënshkruar nga shtatë deputetë demokratë, kërkohet që zv/kryeministrja, e cila mban edhe postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, të japë shpjegime lidhur me procedurën e prokurimit publik.
“Në këto kushte, me qëllim dhënien e shpjegimeve dhe informacioneve lidhur me sa më lart, në mbështetje të nenit 80, pika 1, të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenit 97, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë thirrjen e një interpelance urgjente me Zëvëndëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku”, thuhet në kërkesën e depozituar nga deputetët e PD.
Belinda Balluku është thirrur mesditën e të premtes në SPAK, ku iu komunikua akuza për shkelje të barazisë në tender.
