“`html
Rreziku nga kriza energjetike, PD kërkon interpelancë me ministrin e Energjisë
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend një kërkesë për interpelancë urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. Opozita ngre shqetësime lidhur me rrezikun e një krize të mundshme energjetike në vend, e cila mund të jetë pasojë e situatës në Lindjen e Mesme.
Deputetët e PD shprehin dyshime për masat konkrete të marra nga qeveria shqiptare, duke theksuar se Shqipëria mund të përballet me një situatë emergjente nëse nuk ndërmerren hapa të menjëhershëm. Ata kërkojnë transparencë rreth menaxhimit të rezervave energjetike, garantimin e furnizimit me karburant dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë.
Kërkesa e plotë:
I nderuar Z. Kryetar i Kuvendit,
Nisur nga situata ndërkombëtare e shkaktuar nga lufta në Iran, e cila ka sjellë një rritje të shpejtë të çmimeve të energjisë, veçanërisht të naftës dhe derivateve të saj;
Nisur nga fakti që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka udhëzuar vendet e BE-së të përgatiten për lëshimin në treg të naftës nga Rezervat e Sigurisë;
Nisur nga fakti se Komisioneri për Energjinë, Z. Dan Jorgensen, u ka kërkuar vendeve anëtare të Bashkimit Europian të përgatiten për ndërprerje të mundshme në furnizimin me energji, përmes një letre drejtuar ministrave të energjisë;
Nisur nga fakti që Kryeministri ka folur për një model të ri për mbajtjen e Rezervës energjetike të sigurisë, si dhe për themelimin e një kompanie shtetërore që do të hyjë në tregun e tregtimit të naftës dhe derivateve të saj;
Nisur nga fakti që situata ndryshon me shumë shpejtësi dhe kemi hyrë në një emergjencë të vërtetë përballë kësaj krize;
Për sa më sipër, Shqipërisë i dalin përpara detyra të mëdha për përgatitjen për një krizë energjetike, e cila do të kërkonte angazhim të madh shtetëror. Në veçanti, janë të nevojshme masa konkrete nga Ministria e Energjitikës për garantimin e furnizimit me karburant, menaxhimin e duhur të Rezervës së Sigurisë dhe koordinimin institucional me BE dhe IEA.
Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, bazuar në nenin 80, pika 1 të Kushtetutës dhe nenin 96, pikat 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministrin e Energjitikës dhe Transportit, për të dhënë shpjegime dhe informacione lidhur me sa më lart.
“`
