Çështja e Irena Gjokës: PD kërkon veprim të shpejtë nga ILD, e cilëson vendimin e KLGJ-së si papërgjegjshmëri
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike (PD) e konsideron të papërgjegjshëm dhe të paprecedentë vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për të përcjellë çështjen e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Ky veprim vjen në një kohë kur gjyqtarja rezulton e dënuar në Greqi për përdorim të një vize të falsifikuar.
Sipas opozitës, sjellja e KLGJ-së ngre pikëpyetje të forta mbi pavarësinë dhe paanshmërinë e këtij institucioni.
REAGIMI I GRUPIT PARLAMENTAR TË PD
“Kjo sjellje e papërgjegjshme dhe e paprecedentë e KLGJ-së, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve organike që e ngarkojnë me marrjen e vendimeve për rastet e papajtueshmërisë dhe pazgjedhshmërisë së gjyqtarëve, ngre pikëpyetje të forta për pavarësinë dhe paanshmërinë e organit të qeverisjes të pushtetit gjyqësor. Dërgimi për kompetencë ILD është një përpjekje e qartë për ta zvarritur akoma edhe më tej këtë çështje, me pasoja shumë të rënda për pushtetin gjyqësor, të drejtat e qytetarëve dhe besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.”
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të zbatojë ligjin dhe të kërkojë menjëherë nga KLGJ deklarimin e mbarimit të mandatit për gjyqtaren e dënuar.
Në mbledhjen e saj të së premtes, Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzoi një kërkesë për verifikimin e statusit të gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, lidhur me mosdeklarimin prej saj të një dënimi penal të dhënë nga drejtësia greke në vitin 2005. Mbi bazën e propozimit të një prej anëtarëve, çështja në fjalë pritet t’i kalojë për shqyrtim ILD-së.
